Një muaj paraburgim për dy gjilanasit që kishin dhunuar një vajzë 15-vjeçare

Gjykata Themelore në Gjilan, ka bërë të ditur se është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve për përdhunim të një 15-vjeçareje.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve A. Sh. dhe Q. P.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit në bashkëkryerje kanë dhunuar të miturën 15 vjeçare, ndonëse e kanë ditur se e njëjta është e mitur.

Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale “dhunimi” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Pasi që hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale lëndore ndaj të pandehurve, Gjykata ka ardhur në përfundim se të njëjtit po të gjenden në liri, mund të ndikojnë në njëri-tjetrin, por edhe në të dëmtuarën e mitur, duke vështirësuar ndriçimin e plotë të gjendjes faktike. Andaj, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që është marr për bazë edhe pesha e veprës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.