Kryeministri Hoti: Qeveria synon t’i shpërndajë edhe 2 milionë euro për komunitetet joshumicë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në takim përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, me të cilët ka diskutuar për planin e zbatimit dhe promovimin e programit për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht për Masën 9-të, e cila lidhet në mënyrë specifike me këto komunitete.

“Në bazë të Programit të miratuar në Qeveri, ne e kemi shpërnda një shumë prej 1.7 milionë euro, si mbështetje për komunitetet joshumicë, ndërsa tani planifikojmë t’i shpërndajmë edhe 2 milionë euro për këto komunitete dhe atë deri në fund të dhjetorit të këtij viti, në mënyrë që t’ju ofrojmë mbështetjen e duhur në përballimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 ”, tha Kryeministri Hoti.

Po ashtu, Kryeministri Hoti vlerësoi dhe kërkoi angazhimin e të pranishmëve për shpërndarje të informacioneve dhe identifikimin e rasteve, në mënyrë që ato raste të aplikojnë për të përfituar në kuadër të kësaj shume, të cilën Qeveria e ka ndarë për ta.