Ambasadori gjerman ia bën ‘bajat’ Daçiqit në OKB: Fjalimin e ke copy-paste

Ambasadori i Gjermanisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB),  Christoph Heusgen e kritikoi ashpër Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së sot kur tha se ‘miqtë tanë serbë po e qëllojnë veten në këmbë’ me veprimtarinë e tyre për tërheqjen e pavarësisë së Kosovës.

Heusgen i tha Daçiqit se i duket se fjalimi i tij “është kopje e fjalimeve të mëhershme”, e me rastin fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ai tha se “miqtë tanë serbë po qëllojnë veten në këmbë.”

“Jam i befasuar me këtë politikë të përpjekjes së tërheqjes së njohjeve. Miqtë tanë serbë po i qëllojnë vetes në këmbë, pasi nëse duan që t’i bashkëngjiten BE’së, duhet të punojnë në pranimin dhe vetë pranojnë atë”, porositi ambasadori gjerman.

Ai shtoi se fjalimi i Daçiq i duket ‘copy-paste’ i fjalimeve të mëparshme të tij.

Diplomati gjerman tha se përfaqësuesit serbë flasin shumë rreth krimeve të shqiptarëve, e shtoi se, asnjëherë nuk dëgjohet rreth krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në vitet 1998 dhe 1999, siç ishin pastrimi etnik dhe dëbimi masiv.

Heusgen u zemërua edhe me ambasadorin rus, si kryesues, që nuk kishte lejuar diplomates kosovare të përfundoj adresimin dhe e kritikoi atë se nuk e lejoi po ashtu që në Këshillin e Sigurimit të fliste edhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.