“Hoti s’do ta bëjë gjumin rahat, nëse do të ketë shtet ligjor pas 5 vjetësh”

Drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka thënë se “kryeministri Hoti nuk do të bëjë gjumin rahat”, pasi qeveria e tij votuan për të shfuqizuar Task Forcën Kundër Korrupsionit të Policisë.

Përmes një postimi në Facebook, Miftaraj ka thënë se Kryeministri Hoti dhe ministrat që kanë votuar për shfuqizim lehtësisht mund të përballen me procedura penale nëse Kosova pas pesë apo shtatë vitesh vendos të ndërtojë shtet ligjor.

Tutje ai ka shkruar se qeveria nuk ka mandate të shuarjes së institucioneve pa analizë dhe pa përfshirjen e Kuvendit.

Postimi i plotë:

Le të mbetet këtu ky shkrim.

Kryeministri Hoti dhe gjithë ministrat që kanë votuar sot PËR të shfuqizuar Task Forcën Kundër Korrupsion kanë konsumuar dy vepra penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe konflikt interesi.

Duhet të shkojnë së paku 10 vite të parashkruhen këto vepra penale.

Nëse LDK dhe kjo klikë politike vazhdojnë të mbesin në pushtet edhe 10 vite dhe vazhdojnë të kontrollojnë sistemin e drejtësise dhe sigurisë, mund të flenë rahat.

POR, nëse Kosova pas tre, pesë apo shtatë viteve vendos të ndërtoj shtet ligjor, ku prokurorët dhe gjykatësit e zbatojnë ligjin në mënyrë të drejtë, pavarur dhe të paanshme, Kryeministri Hoti dhe ministrat që kanë votuar sot për të shfuqizuar Task Forcën lehtësisht mund të përballën me procedura penale dhe gjumin nuk do ta bëjnë edhe bash rahat.

Qeveria nuk ka mandat të shuarjes së institucioneve pa analizë dhe pa një vlerësim adekuat dhe pa përfshirje të Kuvendit, vetëm e vetëm të amnistoj nga arrestimi dhe procedurat penale bashkëpartiakët.

Hoti sot dhe nesër do të marr shumë përqafime dhe duartrokitje nga bashkëpartiakët e zhytur në procedura penale por 10 vite janë të gjata.

Natën e mirë