Zemaj: Mbyllja opsion i fundit, s’lejohen tubimet

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk e përjashton krejtësisht mbylljen në rast se rriten numrat e të infektuarve me COVID-19. Por, thotë se është opsioni i fundit megjithëse mbylljen totale nuk e sheh si zgjidhje.

Deklaron se të gjitha institucionet duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim të njerëzve, pasi kjo paraqet rrezik për përhapjen e virusit.

I pari i Shëndetësisë ka deklaruar se mosrespektimi i masave është një ndër shkaqet e rritjes së rasteve. Ka paralajmëruar se do të ketë dënime për gjithë ata që nuk respektojnë ligjin dhe masat anti-COVID.

“Asgjë nuk do t’i lëmë rastit, do të jemi kudo dhe kurdo së bashku, inspektimet duhet të vazhdojnë me ritëm të shtuar, parandalimi dhe pengimi është prioritet, por edhe gjobat të jepen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe të zbatohet me përpikëri, pa përjashtim”. ka thënë Zemaj, për Gazetën Express.

Sipas tij, në QKUK, përveç stafit aktual, ditëve në vijim një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësorë që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar.

“Jemi duke u përgatitur, në mënyrë që rrjedha e pandemisë në ditët dhe muajt në vijim mos të na zë të pa përgatitur”, ka shtuar ai. “Kemi një rritje të lehtë të rasteve me Covid 19, por kjo nuk na bën të ndihemi mirë kur shumë shtete të BE-së dhe rajonit kanë shënuar rekorde të numrit të rasteve, megjithëse disa shtete, tash vendin tonë e kanë larguar nga lista me rrezikshmëri të lartë, gjë që mundëson ardhjen bashkatdhetarëve tanë. Mosdisiplina, mosrespektimi i masave, mund të jetë shkak i mundshëm i rritjes së numrit të të infektuarve. Prandaj, jemi të gatshëm dhe asgjë nuk do t’ia lëmë rastit”, ka thënë, pos tjerash, Zemaj.