Hartimi i skenarëve për Veting finalizohen në fund të muajit

Hartimi i modaliteteve dhe skenarëve për çështjen e reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të llogaridhënies duke përfshirë edhe vetingun, pritet të përfundojë brenda këtij muaji. Ndërkohë, grupi punues i angazhuar nga Ministria e Drejtësisë po kritikohet nga ish-ministrja e Drejtësisë dhe shoqëria civile.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se grupi punues është duke punuar rreth propozimeve se si të bëhet vetingu në sistemin e drejtësisë.

Ai thotë se ky grup ka afat deri në fund të këtij muaji që të dorëzojë propozimet, por që thotë se do t’u jap edhe më shumë kohë nëse iu duhet.

“Ky grup ka filluar punën dhe janë ndarë nëngrupet të cilat janë duke punuar në propozimet të cilat do të më sillen se cilin opsion të vetingut ta zgjedhim. Në ndërkohë edhe të gjeturat e rishikimit funksional që e prekin vetingun, kanë dhënë rekomandime specifike, ato rekomandime ne i kemi quar në këtë komision dhe ky komision është duke i analizuar të gjitha burimet rreth vetingut siç janë duke filluar nga ato juridike kushtetuta, ligji e të tjera, përvojave të shteteve tjera në rajon, por edhe të gjeturat e procesit të rishikimit funksional. Unë shpresoj shpejt ata kanë një afat deri në 31 tetor, por nëse iu duhet më shumë kohë iu kam premtuar se iu jap më shumë kohë që të vijnë me propozime konkrete se si të zhvillohet çështja e vetingut…Sapo të kemi diçka konkrete mezi pres që ta prezantoj para publikut dhe të tregoj se cilin opsion e zgjedhim ne”, thotë ai.

Kryesuesi i grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështjen e reformës në sistemin e Drejtësisë, me qëllim të adresimit të llogaridhënies, duke përfshirë edhe Vetingun, Florent Spahija, thotë se janë duke tentuar që procesin e draftimit të modaliteteve ta përfundojnë deri në fund të tetorit.

Megjithatë, ai lë të hapur mundësinë që të kërkojnë edhe një muaj shtesë që të përfundojnë edhe procedurat e redaktimit.

“Procesi i hartimit të modaliteteve për llogaridhënie dhe veting është në fazën e draftimit të drafteve nga nëngrupet punuese, do të thotë grupi është ndarë në nëngrupe punuese. Pjesëmarrës në grupe janë organizata të shoqërisë civile, gjyqësori dhe prokuroria, normalisht ka edhe nga Policia dhe AKI. Mbështetet fuqishëm nga ambasadat në Kosovë, si dhe organizatat ndërkombëtare të cilat kanë interes përfshi edhe Bashkimin Evropian që vazhdimisht ka ndihmuar sektorin e drejtësisë…Kemi afat deri në fundin e tetorit dhe më pas mund të kërkojmë shtyrje një muaj, po tentojmë me e përfundua në afat, gjithsesi për shkak të volumit të madh që ka raporti, mund të kërkohet edhe një muaj shtesë për rregullimin e tij dhe shikimin, redaktimin e tij. Përndryshe puna është duke shkuar shumë mirë”, thotë ai.

Pjesë e grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për vetingun, të votuar në Qeverinë e Kosovës, janë përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor e Prokurorial, Agjencia Kundër Korrupsion, Policia e Kosovës, AKI, Oda e Avokatëve të Kosovës. ndërsa pjesë e grupit në rolin e këshillëdhënësit janë përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Francës, Misioni i OSBE dhe përfaqësues të tjerë nga shoqëria civile.

Pikërisht grupi punues po kritikohet nga ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila thotë se në kohën kur kishte drejtuar këtë ministri, kishte themeluar një grup nga ekspertët më të mirë të fushës.

Ajo thotë se çështja e vetingut nuk mund të shtyhet përpara kur pjesë e grupit punues janë një numër i madh i bartësve të sistemit të drejtësisë.

“Në vend se të takonte grupin e ekspertëve dhe të kërkonte punën që ata e kanë bërë, ky ka neglizhuar punën e tyre, ka shkelur mbi një punë të mirë dhe ka harrnuar një grup tjetër që nuk mund të quhet grup i ekspertëve, sepse janë afër 30 persona bartës të sistemit të drejtësisë… Në këtë formë nuk mund të bëhet vetingu në Republikën e Kosovës dhe unë nuk është që kam si me thënë shpresa që një grup i tillë do të mund të bënte diçka në këtë drejtim, sepse është nisur mbrapsht. Pra, në vend se të merret parasysh puna e një grupi të ekspertëve, ai filloj me harrnimet e tij duke treguar mungesën e hapur të vullnetit për ta fuqizuar sistemin e drejtësisë dhe për ta bërë atë të pavarur”, thotë ajo.

Haxhiu thotë se nuk ka shpresë që qeveria aktuale do ta dërgojë deri në fund procesin e vetingut, pasi që thotë se u mungon vullneti për një gjë të tillë.

Rezultate nga grupi punues nuk pret as Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, e cila thotë se pjesë e tij janë akterë të cilët do të duhej të ishin subjekt i vetingut.

Përfshirja e tyre, thotë se ka ndikuar që të tërhiqen nga grupi i ekspertëve që ishte themeluar nga Qeveria Kurti.

“Besoj që duhet pritur se cilat do të jenë rezultatet e këtij grupi, mirëpo në përgjithësi do të thotë jo vetëm si rezultat i grupit po edhe si rezultat i reformës ne jemi pak skeptik te ajo se çfarë mund të ndodhë. Marrë parasysh që me të ardhur ministri i ri ka filluar me ndërhyrje të tilla dhe konsiderohet pra që janë përfshirë edhe akterë të cilët do të duhej të ishin subjekt i kësaj reforme, në të njëjtë kohë janë përfshirë si pjesëmarrës në proces bërjen e kësaj reforme”, thotë ajo.

Vetingu si reformë, Hoxha thotë se është tejet i rëndësishëm, pasi që është e vetmja mënyrë për të arritur që sistemi i drejtësisë në vend të fillojë të funksionojë siç duhet.

Kritikave rreth grupit punues se janë përfshirë akterë të cilët do të duhej të ishin subjekt i vetingut, u përgjigjet kryesuesi i këtij grupi, Florent Spahija. Ai thotë se nuk janë duke e bërë vetingun, por janë duke nxjerrë modalitetet se çka i duhet Kosovës.

“Ne nuk jemi duke e bërë vetingun, ne jemi duke nxjerrë modalitete dhe jemi duke e bërë një lloj vlerësimi se çka i duhet Kosovës, normalisht që kontributi i këshillave është mesë i nevojshëm edhe nuk do të thotë që mund të merren për bazë çdo gjë që thonë Këshillat. Aty kemi të drejtë vote secili dhe konsideroj që edhe në këtë rast të dy Këshillave është meqë e mira për vendin, pra sistemi i drejtësisë me u funksionalizua është në interes edhe të Këshillit Gjyqësor edhe Prokurorial”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës më 22 korrik kishte miratuar grupin punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështjet e reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke mos përjashtuar edhe Vetingun.