Osmani për deklaratën e Lajçakut: Nuk ka të bëjë me realitetin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas deklaratës së emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak i cili kërkoi që Kosova të ndryshojë Kushtetutën për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Para mediave, kryetarja e Kuvendit ka thënë se një deklaratë e tillë e Lajçakut nuk është e vërtetë.

“Isha edhe në proces të lëshimit një deklaratë zyrtare për këtë, ajo që ka deklaruar në Serbi nuk është aspak e vërtetë. Si kryetare e Kuvendit asnjë moment nuk e kam thënë në takim që Asociacioni të themelohet në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015 por e kam thënë të kundërtën që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Osmani.

Osmani tutje ka shtuar se deklarimet e Lajçakut janë shqetësuese.

“Gjatë takimit kam deklaruar se duhet të respektohet Kushtetua e Kosovës dhe nuk mund të themelohet asnjë pushtet i tretë e aq më pak organe me kompetenca ekzekutive që do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Ato citime të tij janë shumë shqetësuese dhe nuk kanë të bëjnë fare me realitetin”, u shpreh Osmani.

Ajo shtoi se nuk ka shumicë në Kuvend që do të pranonte një asociacion të tillë me kompetenca ekzekutive.

“Nuk ka shumicë në kuvend që do të pranonte një asociacion, por, ka shumicë absolute që insiston që të respektohet vendimi i Kushtetueses, jam e bindur që nuk ka shumicë as për ndryshimin e Kushtetutës”, tha Osmani.