Kushtetuta e Kosovës nuk duhet të ndryshojë në asnjë mënyrë

Pas deklaratave të të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për Asociacionin, ka pasur reagime në Kosovë.

Analistët thonë se Kushtetuta e Kosovës nuk duhet të ndryshojë në asnjë mënyrë, duke theksuar se presionet ndërkombëtare janë të papranueshme. Ndërkohë, ish-kryenegociatroja, Edita Tahiri, ka thënë se porta dalëse drejt marrëveshjes finale është që Serbia të ndryshojë kushtetutën e vet.

Kosova po vazhdon të përballet me presionet ndërkombëtare lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkohë, i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, ka thënë në Beograd se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për Asociacionin. Për Kushtetutën, Lajçak, ka thënë se nuk është Bibël që të mos ndryshohet. Deklarata e Lajçakut ka ngjallur reagime në Kosovë. Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, tha për Radio Kosovën, se Kushtetuta nuk duhet të ndryshojë në asnjë mënyrë. Ai e quajti sjelljen e Lajçakut infantile.

“Është një diktat, është një presion, i cili është i papranueshëm. Nuk ka pse çështja e Asociacionit të shtohet dhe të shtrohet. Pra, është e papranueshme kërkesa për ndryshim të Kushtetutës, sepse edhe Kuvendi edhe qytetarët nuk e pranojnë një gjet ë tillë, që të kemi jo një republikë serbe në Kosovë, por një republikë të dytë të Serbisë brenda Kosovës”, tha Baraliu.

Profesor Baraliu tha se Kosova duhet të rezistojë ndaj presioneve ndërkombëtare, ndërsa theksoi se dialogu nuk i solli asnjë të mirë Kosovës, që nga viti 2011. “Tani po e kushtëzon Serbia çështjen e Asociacionit para se të arrihet një marrëveshje përfundimtare”, tha Baraliu.

“Në pikat e njëjta dhe kërkesat e Serbisë, Lajçaku me BE-në po e favorizojnë dhe përkëdhelin Serbinë e po i bëjnë presion Kosovës. Është e papranueshme si metodë, jo vetëm e modelimit, por kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se po luajnë me zjarrin. Ky është fundi që qytetarët e Kosovës dhe institucionet nuk mund dhe nuk duhet të lejojnë që të luhet me fatin e Kosovës.”

Sa do të jenë në gjendje institucionet e Kosovës që t’i rezistojnë presionit ndërkombëtar, analisti Blerim Burjani tha për Radio Kosovën se Kosova nuk duhet më që të diskutojë temën e asociacionit dhe kompetencat e tjera të tij.

“Duhet të bëhen përpjekje vetëm mos të lejojnë kompetenca ekzekutive dhe të jenë të qartë para perëndimit, Bashkësinë Ndërkombëtare dhe SHBA-në, se këtu s’ka dhe nuk do të ketë asnjë asociacion me kompetenca ekzekutive, as të ndërtimit të një shteti brenda një shteti të Kosovës. Kjo është e papranueshme”, Burjani.

Pas deklaratave të fundit për ndryshime kushtetuese, ish-kryenegociatroja Edita Tahiri i ka reaguar emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Ajo ka thënë se porta dalëse drejt marrëveshjes finale është që Serbia të ndryshojë kushtetutën e vet. “Pas vizitës së fundit të Lajçakut në Kosovë e Serbi, mesazhi im është që pika e nisjes drejt marrëveshjes finale, është që Serbia të ndryshojë kushtetutën e saj, duke hequr Kosovën nga preambula e saj”, ka shkruar Tahiri në Tuitter. Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Në vitin 2015, dy vendet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

 

 

Autor: Albana Karaj