Facebook ndalon mohimin e Holokaustit, Nachama: Është mirë që ndodhi

Pas debatesh shumëvjeçare Facebook ndalon në mbarë botën mohimin e Holokaustit në platformë. Historiani gjerman dhe rabin Andreas Nachama për DW: “Megjithëse me vonesë, është mirë që ndodhi dhe ky është hapi i duhur.”

DW: Zoti Rabin Nachama, mbas debatesh të gjata, pas pritjesh të gjata, pas pritjes disavjeçare themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg ka marrë vendimin që të largojë në të gjithë botën mohimet e Holokaustit në platformën e Facebook-ut dhe koncerni i tij është tani duke punuar për këtë. Si e vlerësoni ju këtë vendim? Si mendoni pse u arrit kaq vonë?

Rabin Andreas Nachama: Së pari unë kam vlerësime pozitive që të paktën u arrit. Ka pasur argumentime mjaft të gjata, pse duhet të ndodhte kështu. Prandaj, megjithëse me vonesë, është mirë që ndodhi dhe ky është hapi i duhur.

DW: Gjatë tre muajve të fundit ka pasur në rrjet një fushatë dëshpëruese të të mbijetuarve të Holokaustit, të cilët iu drejtuan personalisht Mark Zuckerbergut. Sa e rëndësishme është që të dëgjohet edhe zëri i të mbijetuarve të fundit për këtë temë dhe të jepet edhe vlerësimi përkatë.

Rabin Andreas Nachama: Po ja, si historian unë mund të them vetëm se është sa e natyrshme aq dhe e rëndësishme që njerëzit të ngrenë zërin edhe një herë, imagjinojeni, për të luftuar për të vërtetën. Kjo duhet të jetë e vetëkuptueshme. Unë mendoj se ka mjaft dëshmi të njerëzve që e kanë përjetuar, por edhe studime historike që e dëshmojnë atë qartë. Prandaj unë them se kjo gjë po vjen me vonesë. Por të paktën, u arrit tani.

DW: Mbas gjithë këtij ngurimi të Mark Zuckerbergut fshihet natyrisht trajtimi i ndryshëm që i bëhet lirisë së mendimit nga mendimtarët amerikanë dhe ata gjermanë, përkatësisht europianoqendrorë, me shkolla juridike të ndryshme. Sa e rëndësishme është në kohën e Fake News që për këtë temë, pavarësisht nga sistemi i drejtësisë, të bëhet e qartë se ekziston një kufi në shprehjen e mendimit të lirë? Dhe ku ndodhet kufiri tek tema e mohimit të Holokaustit?

Rabin Andreas Nachama: Së pari, unë mendoj se shihet qartë ku të çon një diskutim, që sipas mendimit tim është i gabuar, për Fake News. Pra, lajme të gabuara që përhapen si uragan. Dhe nga përhapja ato nuk bëhen më të vërteta, por bëhen më të rrezikshme. Kështu është edhe trajtimi i deklaratave të caktuara, që politikanë të njohur lëshojnë në SHBA dhe që korrigjohen tani nga mediat sociale ose shoqërohen me vlerësime, unë mendoj kjo është rruga e duhur. Është mirë që në shumë qendra ka filluar të lëvizë diçka. Dhe sidomos aty ku nuk ka vend për dyshime shkencore dhe historike, dyshimet dokumentareske.

DW: Mohimet e Holokaustit janë një gjë. Në rrjet ka po ashtu forma të tmerrshme antisemitizmi, që mendohet të jenë shumë të përhapura por jo aq ekzistenciale, megjithëse janë të rëndësishme, forma të antisemitizmit ose racizmit apo glorifikimit të dhunës. A do ta mbështesnit ju Facebookun apo Mark Zuckerbergun që të hynte në dialog me zërat relevantë të shoqërisë civile? A nuk mund të pritet që një koncern i tillë të bëhet “djalë shumë i sjellshëm”? Si mendoni ju? Kemi të bëjmë me lirinë e mendimit. Por në temën e antisemitizmit ka shumë më tepër gjëra se sa mohimi i Holokaustit.

Rabin Andreas Nachama: Kjo është çështje diskrecioni. Natyrisht çdo lajm i remë është lajm i remë. Për këtë nuk ke pse diskuton. Ky është fakt. Unë nervozohem kur shoh lajme të falsifikuara që shpërndahen nga shumë vetë. Por, a duhet të mbaj qëndrim personal ndaj të gjithëve për këtë gjë, nuk e di. Kështu unë do thoja se është mirë që diçka po fillon. Ne duhet të shohim si do të zhvillohet dhe të kërkojmë që të shkohet më shumë drejt së vërtetës. Sepse unë mendoj se aty ku punohet me koseguencë, ndodhin edhe ndryshime./DW