Puyol: Mund të isha transferuar te Milani

Legjenda e Barcelonës Carles Puyol ka zbuluar se ai mund të ishte bashkuar me Milanin gjatë karrierës së tij dhe se do t’i pëlqente të luante së bashku me Paolo Maldinin.

42 vjeçari e kaloi gjithë karrierën e tij te Barcelona, ku fitoi 20 trofe, duke përfshirë gjashtë tituj të La Ligas dhe tre tituj të Ligës së Kampionëve.

“Mund të isha bashkuar me Milanin”, tha Puyol gjatë një festivali sportiv të organizuar nga “La Gazetta dello Sport” në fundjavën e kaluar.

“Do të më pëlqente të luaja me Paolo Maldinin, ishte idoli im. Do të isha i lumtur ta mbyllja karrierën time në kampionatin italian. Kisha oferta nga disa klube angleze dhe italiane, por kur klubi juaj është sikur shtëpia juaj, nuk ndjeheni se mund të vishni ndonjë fanel tjetër ”, shtoi në fund ish-reprezentuesi spanjoll.