MKRS publikon regjistrin e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar regjistrin e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, e cila është pasuruar me asete të reja të trashëgimisë kulturore shpirtërore që prezantojnë njohuritë dhe krijimtarinë popullore nga individë dhe grupe shoqërore.

Si rezultat, regjistri i trashëgimisë, i publikuar më 10 tetor, përveç tjerash është pasuruar me 8 asete të reja të trashëgimisë kulturore shpirtërore të cilat prezantojnë njohuritë dhe krijimtarinë popullore nga individë dhe grupe shoqërore.

Asetet e përfshira në listë janë Pleqnia në odat e Dukagjinit, Këngë vajtimi ‘Gjama e Burrave’, Këngë për krye krahi – Malësorçe, Këngë me Lahutë, Këngë e Tepsisë të propozuara nga QRTK Pejë, Mësiti në Shalën e Bajgorës, Kangagjeqi në Shalën e Bajgorës dhe Dasma në Shalën e Bajgorës të propozuara nga QRTK Mitrovicë janë përfshirë në një njësi, Flaka e Janarit, propozim i QRTK Gjilan dhe Çiftelia dhe Teleisja, si fryti i parë i bashkëpunimit formal me Institutin Albanologjik.

Ministrja Vlora Dumoshi në 100 ditët e angazhimit të saj në Qeverinë Hoti ka vendosur si prioritet politik trashëgiminë kulturore, me fokus të veçantë në trashëgiminë shpirtërore me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e diversitetit tonë kulturor, vlerë kjo shumë të rëndësishme për afrimin e komuniteteve dhe për përmirësimin e dialogut mes kulturave të ndryshme.

Trashëgimia kulturore e krijuar në shekuj e në vijimësi nga paraardhësit tanë, është ruajtur dhe mbrojtur duke u përcjellë brez pas brezi, thuhet në komunikatë.