Thursday, March 28, 2024
Home Uncategorized Projektligji për Rimëkëmbje në votim për herë të gjashtë në Kuvend

Projektligji për Rimëkëmbje në votim për herë të gjashtë në Kuvend

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot dy seanca plenare, ku në rendin e ditës për diskutim do të jenë pikat e papërfunduar nga seancat plenare të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25 e 28 shtator 2020, dhe më pas do të mbahet një seancë e re.

Në seancën e parë para deputetëve për votim do të jetë Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, Propozim-rezoluta nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun, Propozim-rezoluta nga interpelanca e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, përkatësisht në Karaçevë të Kamenicës dhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”.

Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së dhe ai për Rimëkëmbjen Ekonomike në seancat e kaluara nuk kanë pasur votat e nevojshme për miratim, madje ky i fundit ka dështuar pesë herë për miratim në mungesë të kuorumit dhe mos përkrahjes nga opozita.

Në seancën e re, të paraparë të fillojë nga ora 11.30, për shqyrtim do të jenë Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2019, Pjesa e dytë Objektivi 1, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Italisë për transferimin e personave të dënuar, zgjedhja e një anëtari të Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për deminim humanitar.

Po ashtu, për herë të parë do të dalë në shqyrtim edhe Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Automjete, Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për festat zyrtare.

Pikat e fundit të rendit të ditës – 9, 10, 11 dhe 12 – kanë të bëjnë me shqyrtimin e Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale për 2019, Raporti vjetor i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për 2019, Raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për 2019 dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2019.