Limaj: Mendoj se PDK-së i takon posti i presidentit nëse futet në koalicion

Kryetari i Nisma Fatmir Limaj nuk ka dashur të komentojë nëse Partia Demokratike e Kosovës duhet të vazhdojë të mbetet pjesë e opozitës, por tha se vendi ka nevojë për një qeveri stabile dhe se posti i presidentit mund t’i jepet PDK-së nëse kjo e fundit hyn në koalicion.

Ai në Debat Plus ka thënë se nuk i takon atij të flasë rreth asaj nëse PDK duhet të mbetet në opozitë, por se Kosovës i nevojitet një qeverisje sa më e gjerë për t’u përballur me sfidat e ardhshme.

Limaj ka folur edhe rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës, pas skadimit të mandatit të Hashim Thaçit, për të cilin post tashmë ka shprehur ambicien Ramush Haradinaj, e cili pati kërcënuar se do të dalë nga qeveria nëse nuk merr votat.

“Ne si Nismë mbështesim opsionin që ofron stabilitet dhe garanton zgjedhjen e presidentit. Nëse skena politike nuk arrin të gjejë formulë të ri-konfigurimit, atëherë do të shkojmë në zgjedhje. Apeli im është për të gjithë që t’i falim vendit një stabilitet dhe kjo arrihet kur të gjithë tërhiqen nga ambiciet. S’kam problem me emra të kandidatëve. Ky koalicion s’ka kapacitet të zgjedhë presidentin”, ka thënë Limaj.

Ai ndërkaq ka thënë se mund t’i jepet posti i presidentit PDK-së nëse kjo e fundit do të jetë pjesë e koalicionit.