VV-ja thërret Hotin në interpelancë për pezullimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesën për interpelancë të Avdullah Hotit për pezullimin njëvjeçar të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, rajonale e globale ndërqeveritare e ndërshtetërore, të specializuara apo të përgjithshme, pos avancim i interesave të ndryshme të institucioneve të saja në raporte multilaterale, para së gjithash është shprehje e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Zotimi i njëanshëm i Avdullah Hotit për pezullim të kërkimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare përveçse është pushim njëvjeçar i shtetësisë së Kosovës në sferën dhe sistemin ndërkombëtar, është edhe bllokim i shumë nismave, projekteve e proceseve të ndryshme të shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj në nivel ndërkombëtar multilateral”, thuhet në komunikatë.

“Rikthimi i tyre nuk është aspak i lehtë. Moratoriumi njëvjeçar në planin e tyre të veprimit shumëfishohet në vite të tëra përpjekje për të arritur agjenda të caktuara të bashkëpunimit ndërshtetëror e ndërinstitucional”, thotë VV.

“Siç është bërë zakon tashmë kur bëhet fjalë për dorëzimin para kushteve të Serbisë e të cilat pastaj shndërrohen në koncesione për këtë të fundit, deklarimi i 15 qershorit për të pezulluar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, u materializua më 4 shtator në Uashington në formë të zotimit të njëanshëm për Serbinë. Padyshim se kjo është kërkesë që Kosova për një vit të heqë dorë prej sjelljes së saj si një shtet normal e sovran. Pse t´i kërkohet Kosovës që të heqë dorë nga sovraniteti i saj, qoftë dhe përkohësisht? Ç’lidhje ka kjo me zhvillimin ekonomik të Kosovës? Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i ndihmon ekonomisë, nuk e pengon atë”.

Sipas Vetëvendosjes heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare kinse me arsyetimin që Serbia të pezullojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, është pozicion me pasoja të parikuperueshme në raport me dialogun me Serbinë.

“Nuk mund të ketë marrëveshje për njohje e që përfundon me njohje reciproke në mes të dy shteteve, duke hyrë në proces të dialogut me pozicion neutral ndaj pavarësisë së Kosovës nga vetë Qeveria e saj. Asimetria e shumanshme e Kosovës me Serbinë po merr trajtë zyrtare të asimetrisë edhe nominalisht, duke vënë në tavolinën e dialogut statusit të Kosovës për negociim”, thotë VV. Ky zotim i njëanshëm individual për pezullimin e kërkimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare bie në kundërshtim me Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikës. Avdullah Hoti dhe kushdo qoftë nuk mund të shfuqizojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nuk mund t’i imponojë shtetit të Kosovës kurrfarë zotimi individual”, thuhet në njoftim.