Selimi: S’ka marrëveshje finale me Serbinë pa u zgjidhur çështja e të pagjeturve

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut.

Selimi aty ka folur edhe për marrëveshjen finale me Serbinë, si dhe ndërlidhjen e saj me zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.

Ai ka thënë se pa këtë çështje, s’ka marrëveshje finale me Serbinë, teksa ka shtuar se janë vendosur parimet bazë për zgjidhjen efikase të kësaj teme.

“Me rinisjen e dialogut në Bruksel jemi deklaruar se çështja e të pagjeturve do të jetë çështja e parë, pa të cilët nuk mund dhe nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Kjo tregon edhe për përkushtimin tonë si Qeveri. Gjatë tri takimeve të zhvilluara në nivel ekspertësh në Bruksel janë vendosur parimet bazë për zgjidhjen efikase të kësaj çështjeje”, ka thënë Selimi.

Ai ka shtuar se në marrëveshjen në Bruksel parashihet që të krijohet një komision i përbashkët që do udhëhiqet nga BE, dhe i cili do të jetë përgjegjës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.