Isa Mustafa reagon pas deklaratave të Vjosa Osmanit, e cila e quajti ‘Shërbëtor i bandave dhe mashtrues’

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk i komenton deklaratat e Vjosa Osmanit për të. Thotë se ato i lë të mbesin në edukatën e Osmanit.

Dje kryeparlamentarja Osmani e ka quajtur Mustafën “shërbëtor të bandave, mashtrues dhe humbës të shumëfishtë”, e nxitur nga një deklaratë e Mustafës, që e fajësoi kandidaten për kryeministre për humbjen e zgjedhjeve.

Mustafa sot thotë se nuk i pëlqen të komentojë akuzat dhe ato që u konsideruan fyerje të Osmanit ndaj tij.

“Më vjen keq, por më duket e ulët të komentoj një gjuhë të tillë. Le të mbetet çështje e edukatës së saj”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka pyetur Osmanin se kë po e përfaqëson tani si kryeparlamentare, pas rënies së koalicionit të LDK-së me VV-në.

“Në vend të kësaj, Vjosa duhet ta qartësojë se kënd e përfaqëson si kryetare e Kuvendit, pas rënies së koalicionit LDK-VV. Çfarë legjitimiteti ka?”, ka thënë Mustafa.

Përplasja në mes të Mustafës dhe Osmanit erdhi pas një interviste të kreut të LDK-së dhënë për Express.

“LDK-ja e ka kandiduar znj. Osmani për kryeministre në zgjedhjet e kaluara. Për kryeministre të LDK-së, jo të Vetëvendosjes, sepse VV-ja e ka pasur kandidatin e saj. Kur kemi hyrë në fushatë, LDK-ja, në bazë të matjeve të opinionit, ka qenë 6 për qind para VV-së. Kemi përfunduar pas VV-së, sepse fushata është zhvilluar duke e kopjuar VV-në. Qytetarët përkrahën origjinalin e kësaj politike, Albinin, jo kopjen, Vjosën. Qytetarët nuk votuan që LDK-ja të bëhet Vetëvendosje”, ka thënë Mustafa.