Mirror: Serbët i detyruan fëmijët të vraponin kah prindërit dhe i ekzekutuan

Daily Mirror në një artikull për eksperten angleze të forenzikes, Dame Sue Black ka përmendur krimet e luftës në Kosovë.

Kjo pasi 57-vjeçarja ka publikuar një libër të quajtur “All that Remains” që përkthehet ‘Gjithçka që mbetet’, ka treguar për krimet serbe që ajo i pa në Kosovë pas luftës.
Në këtë artikull thuhet se ajo ka udhëhequr antropologët për punën e Ekipit Britanik të Forenzikës gjatë hetimeve për krimet e luftës në Kosovë, të gjitha këto të cilat i ka përmbledhur në librin e saj.
Ajo ka rrëfyer për krimin barbar në Krushën e Madhe, djegien e burrave e vrasjen e fëmijëve.
“Në qershor të vitit 1999 shkova në Kosovë për të ndihmuar në identifikimin e një numri të madh të trupave dhe për ti vërtetuar deklaratat e dëshmitarëve në mbështetje të krimeve të luftës kundër Sllobodan Millosheviç dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka thënë Sue Black, shkruan Daily Mirror.

“Arrita në vendin e parë të akuzës dhe veshja kostumin tim të zakonshëm të bardh, dorezat dhe çizmet e zeza. Me 25 mars policia serbe kishin zbarkuar në fshatin Krusha e Madhe. Burra të armatosur ndanë burrat dhe djemet nga familjet e tyre dhe i futën në shtëpi të braktisur. Një njeri i armatosur me kallashnikov vrau të gjithë dhe pastaj dogji ndërtesën. Dyzet burra dhe djem thuhet se humbjen jetën atë natë. Unë qëndrova në derë dhe shikoja një skenë makthi. Kishte të paktën 30 trupa të grumbulluar në një dhomë, të gjitha të djegur rëndë dhe të dekompozuar”, ka rrëfyer ajo.
Derisa ka treguar se si dhoma pas tre muajve nga kjo ngjarje ishte mbushur me krimba mbi trupin e viktimave.
“Kishte vetëm një mënyrë për të pastruar hapësirën dhe kjo ishte me duar duke u ulur në gjunjë dhe duke parë çdo mbetje. Qëllimi ishte mbledhja e pjesëve të trupit. I pastruam dy dhomat dhe vumë sa më shumë shenja identifikimi që mundëm secilit prej viktimave. Në një vend tjetër, gratë dhe fëmijët ishin ndarë nga burrat. Fëmijët ishin vendosur në një anë të livadhit dhe u ishte thënë atyre që të vraponin tek nënat e tyre. Dhe nënat e gjyshërit e tyre janë detyryar t’i shikojnë, derisa ata shtënin në drejtim të fëmijëve”, ka thënë ajo.
Ekspertja e forenzikes ishte e shokuar nga krimet që kishte parë. Ajo i ka quajtur akte të papërshkrueshme, vrasje e të pafajshmeve.
“Një vrasje e ftohtë e të pafajshmëve. Ishte një vend i neveritshëm ku ishin kryer akte të papërshkrueshme. Një vajzë dy-vjeçare ishte vendosur në një qese plastike e shtrirë para meje, ende e veshur me pizhame e me çizme të kuqe. Detyra ime ishte ta zhvishja dhe t’i lejoja policët që të marrin rrobat për dëshmi dhe më pas të nisja studimin anatomik. Papritmas ndjeva një batanije qetësie që po mbretëronte. Kur kemi të bëjmë me vdekje të tmerrshme të të pafajshmëve, dikush duhet të derdhë lot. Të kesh zemër të ndjeshme nuk është gjithmonë shenjë e dobësisë. Shpesh është shenjë e humanitetit”, ka thënë ajo.

Artikulli i Daily Mirror mbi punën e Dame Sue Black në identifikimin e mbetjeve mortore të krimeve të luftës në kosovë.