Haradinaj: Jemi për një qeveri të gjerë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar deklaratat për përfshirjen e mundshme të PDK-së në Qeveri.

Në një prononcim për KosovaPress, Haradinaj ka thënë se LDK-ja e ka të drejtën të negociojë, pasi që ajo është edhe krijuese e këtij koalicioni, ndërsa ka shtuar se përkrahin një qeveri me bazë të gjerë dhe stabile e cila do të ndihmonte proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Megjithatë, ka thënë se AAK-ja është e gatshme edhe për zgjedhje të reja.

“LDK si udhëheqëse e koalicionit, pra Qeveria është krijuar nga LDK-ja, ka të drejtën me negociua, me diskutua për format e ardhshme të koalicionit qeverisës. Kuptohet Aleanca e ka vizionin e vet se si duhet të ecë përpara. Ne e kemi bërë propozimin tonë, mirëpo nëse krijohet një Qeveri e gjerë stabile ajo mund të jetë ndihmesë për procesin të cilin po kalon vendi. E po ashtu asnjëherë nuk duhet t’i ikim kthimit të sovranit, pra kthimit tek zgjedhjet, tek votuesit, tek qytetari sepse në fund të fundit qytetari e ka të drejtën të vendosë për me tutje, pra demokracia jonë është demokraci vepruese dhe deri tani zgjedhjet kanë qenë me të mirat të mundshme”, ka thënë Haradinaj.