Veseli në takim me bizneset në Prizren: Qeveria po rrezikon faliminetin e bizneseve, e ftojmë për bashkëpunim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot në Prizren shoqatën “Esnaf”, që përfaqëson bizneset e këtij qyteti.

Kryetari Veseli ka folur me përfaqëuesit e bizneseve prizrenase për sfidat me të cilat ata po ballafaqohen dhe situatën e rëndë ekonomike në vend.

Kryetari Veseli ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e vendosur që të ndihmojë bizneset, dhe, për këtë arsye, ka përgatitur një sër propozimesh konkrete për qeverinë.

Megjithëkëtë, kryetari Veseli tha se papërgjegjësia e qeverisë po rrezikon falimentin e qindra bizneseve kosovare, e me këtë edhe mijëra vende të punës.

“Sot jam në Prizren për t’u solidarizuar me ju. E di gjendjen e rëndë ekonomike e cila po mbretëron në vend. I di sfidat me të cilat po ballafaqoheni ju si ndërmarrës. Prandaj, unë ju siguroj se kjo nuk është faji i opozitës. Qeveria është duke u treguar tërësisht indiferente dhe e papërgjegjshme, dhe, me këtë po rrezikon shuarjen e shumë bizneseve në vend.”, ka thënë kryetari Veseli.

Më tej, ai ka shtuar se është i gatshëm që përsëri të ulet së bashku me Qeverinë dhe të gjejnë një zgjidhje sa më parë për të mirën e vendit dhe bizneseve.

“Qeveria duhet të ulet me Odat Ekonomike dhe me ne. Të marrë parasysh propozimet tona. Kjo situatë kërkon bashkim të të gjithë akterëve politik. Unë ju premtoj se në momentin që do të ulemi së bashku për të diskutuar pakon e rimëkëmbjes, të nesërmen do ta votojmë atë në kuvend.”, ka thënë kryetari Veseli.

Mes tjerash, kryetari Veseli ka folur edhe për trustin pensional dhe mundësinë që qytetarët të tërheqin paratë e tyre nga ai fond.

“Në duhet të kategorizojmë shtresat e qytetarëve dhe tu kompensojmë paratë atyre që do t’i tërheqin. Në vecanti shtresës së ulët.”, ka thënë kryetari Veseli.

Kryetari i Shoqatës “Esnaf”, Varis Xhejlani, falënderoi kryetarin Veseli për mbështetjen e tij të madhe dhe propozimet konkrete se si t’u dilet në ndihmë bizneseve në këtë kohë të vështirë të pandemisë.

Ai tha se bizneset janë në një situatë të vështirë dhe kërkoi nga qeveria dhe institucionet që të jenë bashkëpunues me të gjithë akterët politik në mënyrë që ndihma për ndërmarrësit të jetë sa më e shpejtë dhe sa më e madhe.