Krasniqi fton bizneset zvicerane të investojnë në Kosovë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me të cilinë kanë biseduar për raportet tregtare, mundësinë e investimeve, rolin e diasporës shqiptare, turizmin dhe bujqësinë.

Ministri Krasniqi fillimisht ka falënderuar shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës.

“Nuk duhet harruar që Zvicra ka qenë dhe është një vend mik i Kosovës, që e ka ndihmuar vendin tonë si para luftës, gjatë dhe pasluftës në rimëkëmbje dhe në zhvillim”, ka thënë ministri Krasniqi.

Sipas një komunikate të MTI-së, Krasniqi ka theksuar nevojën për rritjen edhe më të madhe të bashkëpunimit dhe urave lidhëse të bizneseve Kosovë-Zvicër, duke iu bërë ftesë investitorëve zviceranë që të vijnë në Kosovë dhe të investojnë.

Duke folur për turizmin malor, ministri ka përmendur vendet me potencial të mrekullueshëm për skijim, si: Brezovica, Rugova, Brodi dhe Shala e Bajgores.

“Zvicra si një shtet i njohur për pista të skijimit dhe me një turizëm malor të zhvilluar mund t’i ndihmojë këto zona duke i bërë atraksion jo vetëm për qytetarët e rajonit, por edhe për vizitorë të shteteve të Evropës Perëndimore”, ka theksuar ministri.

Ambasadori zviceran, Thomas Kolly, ka falënderuar ministrin për informacionet e prezantuara dhe ka shprehur gatishmërinë e shtetit helvetik për të vazhduar mbështetjen për Kosovën.