Abrashi: Është interes i LDK-së që kjo qeveri të zgjasë sa më shumë

Pak minuta më parë ka përfunduar  mbledhja e Kryesisë së LDK-së.

Në një prononcim anëtari i kryesisë së LDK-së Arban Abrashi ka thënë se ishte një takim i rregullt, ku i diskutua në lidhje me situatën politike në vend, për pandeminë Covid-19 dhe me punët që po i bëjnë ministrat dhe kryeministri nga radhët e LDK-së.

Ai tutje ka thënë se e mira e kësaj qeverisje ka qenë përafrimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se Kryeministri dhe ministrat e LDK-së kanë bërë punë të mirë.

“Biseduam për zhvillimet e fundit në vend, për përafrimin e raporteve me SHBA. Është përshëndetur puna e kryeministrit, dhe ministrave të LDK-së, thjeshtë ka qenë takim i rregullt dhe në tema të tjera nuk kemi hyrë”, tha Abrashi.

Se a është diskutuar zgjerimi i koalicionit, Abrashi ka thënë se nuk kanë hyrë në atë temë.

“Nuk kemi hyrë në tema të ‘nxehta’ politike ta them kushtimit atë. Nuk kemi hyrë farë në atë të temë, dhe kemi deklaruar mes tjerash që është interes i LDK-së që kjo qeveri të zgjas sa më shumë”, theksoi Abrashi.