Rëndohet gjendja e viktimave të dhunës seksuale gjatë pandemisë

Shumë nga gratë, burrat dhe vajzat e djemtë e ri, të cilët po jetojnë me dhimbjen e luftës, ende e kanë të vështirë të marrin vendimin për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale. Vështirë e kanë edhe të debatojnë e të bindin familjarët për të aplikuar për këtë të drejtë të tyre. Derisa marsi, prilli e maji ua kujton ‘Kosovën e përgjakur’ të para dy dekadave, shumë prej tyre gjatë kohës së pandemisë edhe kanë hequr dorë për një gjë të tillë.

Në nëntë muajt e parë të këtij viti ka pasur dukshëm më pak aplikacione për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës. Komisioni për Verifikim, deri më tani ka pranuar vetëm 130 aplikacione, derisa numri i përgjithshëm i aplikacioneve ka arritur në 1 mijë e 322.

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thotë se deri më tani statusi u është njohur 865 personave, ndërsa 260 aplikacione janë refuzuar dhe të tjerat janë në proces të shqyrtimit.

“Numri i aplikuesve deri më tash është 1322. Statusin viktimë e dhunës seksuale e kanë fituar gjithsej 865 persona, nga ta 836 femra dhe 29 meshkuj. Ndërsa, 260 kërkesa janë refuzuar nga to 221 femra dhe 39 meshkuj. Në proces janë 66 raste. Në periudhën janar-shtator, Sekretaria e Komisionit ka pranuar gjithsej 130 aplikacione të reja”, përgjigjet ajo.

Pandemia e ka rënduar edhe më tej gjendjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feridi Rushiti thotë se kjo vërehet dukshëm me rënien e numrit të rasteve të cilët kanë aplikuar për njohjen e statusit.

Rushiti: Afati i ngushtë kohor e kufizon personin i cili e ka përjetuar këtë krim për të marrë benificionin
“Kjo vërehet dukshëm me rënien e përgjithshme të rasteve, të cilët kanë aplikuar në komision. Fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe kohore, dhe fakti që koha po i kalon këtij komisioni, që ka afat shumë të ngushtë, do të thotë pesë vjet, është një lloj shqetësimi jo vetëm për neve si organizatë por edhe për familjarët e tyre. Disa nga gratë, burrat dhe vajzat të cilat e kanë përjetuar dhunën seksuale, nuk e kanë të lehtë për të marrë vendimin edhe duhet të debatojnë shumë anëtarët e familjes, për t’i bindur ata për të aplikuar. Jo vetëm ata, por edhe vetveten. Prandaj ky afat i ngushtë kohor natyrisht që e kufizon dukshëm personin i cili e ka përjetuar këtë krim për të marrë benificionin që i takon sipas ligjeve në fuqi”, thotë ajo.

Shumë gra gjatë kësaj kohe, nuk kanë pasur as ushqim për të ngrënë. Rushiti teksa flet për vështirësitë e tyre, thekson se të mbijetuarat po përballen me traumë edhe gjatë kohës sa po presin që të trajtohet rasti i tyre. Sipas saj, komisioni duhet të përshpejtojë numrin e rasteve.

Rushiti: Rastet janë duke pritur gjashtë muaj deri një vit

“Rastet janë duke pritur gjashtë muaj, janë duke pritur një vit. Çka edhe paraqet shqetësim për ne që punojmë me këtë grup të ndjeshëm, por edhe për vet personin në fjalë. Për faktin se për me marrë vendimin duhet të debatohet shumë në familje. Pastaj pritja e stërzgjatur po shkakton ankth, po e rrit nivelin e aneksizitetit tek familjarët, dhe shumë herë lind pyetja pse kemi apliku? Për çfarë arsyeje? Ky është shqetësim që duhet të mendohet të bëhet një zgjidhje më adekuate, për faktin se komisioni nuk duhet të ankohet se kanë shumë raste se fillimi ka qenë një periudhë kur rastet kanë qenë të përgatitura në organizata, veç kanë filluar aplikimet dhe ka qenë numër i madh. Tash numri edhe për shkak të pandemisë edhe për shkak që numri i parë që ka qenë është trajtuar, është numër dukshëm më i vogël. Mendoj që komisioni duhet të përshpejtoj numrin e rasteve”, thekson Rushiti për KosovaPress.

Disa nga këto gra të cilat po marrin guximin për t’u paraqitur pranë këtij komisioni, nuk arritën kurrë të gëzojnë benificionet. Ka pasur raste të tilla që gjatë kohës sa kanë pritur për njohjen e statusit, edhe kanë vdekur.

Rushiti: Ka edhe nga to që kanë vdekur

“Ka edhe nga to që kanë vdekë. I kanë deponuar historitë e tyre fatkeqësisht, duke prit me u shqyrtu lënda, nuk kanë arrit me gëzu për shkak të sëmundje të tjera kronike apo vdekjeprurëse që i kanë pasur, nuk kanë arritur me gëzua. Kështu që në këtë drejtim mendoj që Komisioni Qeveritar për njohjen edhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale duhet të gjej mundësi dhe të shqyrtoj procesin e dinamizmit të shqyrtimit të aplikacioneve, për faktin se po zgjat shumë. Dhe po zgjat e po shkakton tension të paparë te të mbijetuarat”, thekson ajo.

Drejtoresha e QKRMT-së tregon për KosovaPress për numrin e rasteve të cilat trajtohen në këtë qendër, e që të njëjtat kanë aplikuar në komisionin qeveritar.

Rushiti: Këtë vit kanë aplikuar 38 raste

“Nga Qendra Kosovare për Rehabilitim prej vitit 2018, e deri më tani, janë dorëzuar rreth 321 raste, prej tyre 240 raste veç përfitojnë pension. Ndërsa, këtë vit janë 38 raste që kanë aplikuar, dhe në pritje për shqyrtim janë 68 të cilat janë duke iu plotësuar dokumentet apo intervista me gojë, siç e kërkon komisioni”, thekson drejtoresha e QKRMT-së.

Ajo thotë se afati i komisionit është i padrejtë, dhe se këtë çështje e kanë adresuar disa herë. Kërkon që të gjenden modalitete se si të funksionojë ky komision i formuar dy vjet më parë, por jo me afat pesë vjeçar siç është aktualisht, meqë sipas saj, krimet e luftës nuk parashkruhen, ndërsa benificionet afatizohen për pesë vjet.

Ky afat, thekson se qon sinjal te viktimat që të mos aplikojnë fare. Statusi i viktimës së dhunës seksuale është njohur me ligj në vitin 2014. Personave që iu njihet ky status përfitojnë një ndihmë prej 230 eurove në muaj.