VV i kundërpërgjigjet PDK-së: Jeni në qeveri, përkundër që jeni në opozitë

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje u janë kundërpërgjigjur atyre të PDK-së, për deklaratat sa i përket mocionit për rrëzimin e Qeverisë Hoti të iniciuar nga VV, ku nga partia e Kadri Veselit kanë thënë se nënshkruajnë mocionin në një moment të caktuar.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvëndosje, Shpejtim Bulliqi, ka theksuar për GazetaBlic se skepticizmi i PDK-së për ta rrëzuar Qeverinë Hoti ka qenë prej fillimit, derisa shton se kjo parti edhe pse zyrtarisht s’ka qenë pjesë e koalicionit, sipas tij, ka kryer punën e një partneri qeverisës.

“Ne kemi thënë disa herë që PDK-ja edhe pse zyrtarisht s’ka qenë pjesë e koalicionit, në fakt e ka kryer punën e një partneri të koaliconit. Në radhë të parë duke filluar nga rishikimi i buxhetit, ku të gjitha deficitet buxhetore i kanë ndarë bashkërisht në bashkëpunim me subjektet në Qeveri që janë pjesë e koalicionit”, ka thënë ai për GazetaBlic.

Bulliqi duke paralajmëruar se PDK-ja do t’i bashkohet Qeverisë, ka kritikuar edhe rolin e saj në opozitë, e cila siç ka thënë ai, ka qenë e heshtur.

“Prandaj, s’është diçka e papritur, e po ashtu nuk është e diçka e paparitur që nesër PDK-ja të jetë pjesë e këtij koalicioni, për aryse edhe atëherë kur nuk kanë qenë në koalicon, këto dy subjekte, PDK dhe LDK, kanë bashkëpunuar në dëm të Kosovës, ashtu sic po bashkëpunojnë edhe tani. Këta edhe në realitet s’kanë qenë në opozitë, pasi kanë qenë të heshtur”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se do t’ia japin votat VV-së për mocionin në një moment të caktuar.

“Zgjedhjet patjetër se janë zgjidhje. Ne si PDK jemi opozitë dhe atëherë kur e shohim se është e nevojshme të kemi mocionin e Vetëvendosjes, ne aty do të japim edhe votat tona. Sidoqoftë, nëse Qeveria është stabile ne mund të vazhdojmë edhe kështu”, ka thënë gjatë një debati në KK.

Kujtojmë, për mbajtjen e seancës për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit nevojiten 40 nënshkrime të deputetëve. VV-ja i ka 31 deputetë në grupin e saj parlamentar. Këtë mocion partia e Albin Kurtit e ka nisur në fillim të muajit gusht, por që ende s’i ka siguruar votat e mjaftueshme.

Ndërkaq, pas largimit të vijave të kuqe nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, për PDK-në, janë shtuar zërat se mund t’i bashkohet koalicionit qeverisës. Nga partia e Kadri Veselit nuk e kanë mohuar këtë mundësi.

Anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti, për GazetaBlic ka komentuar edhe largimin e vijave të kuqe nga LDK-ja.

“Nuk e di çka të them dhe s’mund të konfirmoj asgjë, ka thënë ai, kur është pyetur sa a ka gjasa që PDK t’i bashkohet koalicionit qeverisës.