Takimi Kosovë-Serbi ende pa datë, s’dihet as për fatin e Asociacionit

Akoma nuk dihet se cilado të jetë data për mbajtjen e takimit të ardhshëm të Avdullah Hotit, kryeministrit të Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiqit, Presidentit të Serbisë, për dialogun në Bruksel.

Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, ka deklaruar për klankosova.tv se janë duke punuar në caktimin e datave dhe agjendës së takimeve të ardhshme të BE-së me përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit.

“Puna është në vazhdim e sipër për përgatitjen e takimeve të mëtejshme në kuadrin e dialogut.”

“Ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimeve të ardhshme – qoftë në nivelin e ekspertëve apo në nivelin e lartë politik – kur është e përshtatshme”.

Takimi i fundit që ishte paraparë të mbahej më 28 shtator në Bruksel për dialogun ishte shtyrë për një datë të pacaktuar.

Ishte Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, i cili bëri me dije se shtyrja e takimit u bë “për shkak të masave të kujdesit përballë situatës me COVID19”, takimi i shefave të ekipeve negociuese ishte shtyrë.

Temë e këtij takimi pritej të ishin diskutimet për çështjen e pronave dhe ato financiare ne mes dy vendeve. Por, se nga ekipi serb i dialogut ishte thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ishte në mesin e pikave.

I pyetur rreth asaj se a do të jetë temë diskutimi në takimin e ardhshëm në Bruksel, Asociacioni i Komunave Serbe, Stano theksoi se “Çështja e aranzhimeve për komunitetin jo-shumicë – Asociacion/ Komuniteti duhet të adresohet si pjesë e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse siç është rënë dakord në takimet e para të liderëve në korrik 2020 dhe të ri-konfirmohet në raundin e fundit më 7 shtator 2020”.

Nga Qeveria e Kosovës për klankosova.tv deklaruan se qëndrimi i tyre është i njëjtë me atë të Avdullah Hotit, kryeministrit të vendit, i cili ka thënë se tema e Asociacionit është e mbyllur dhe nuk do të diskutohet.

“Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i njëjtë me atë të Z. Hoti, asociacioni është mbyllur me është e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe më pastaj me marrëveshja tjetër të parimeve më 2015”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, para një jave deklaroi se Beogradi është i gatshëm për bisedime me Prishtinën në Bruksel dhe se Asociacioni i Komunave Serbe është një temë e pashmangshme.

“Ne jemi gati të flasim.Asociacioni i komunave serbe është një temë e pashmangshme dhe ne do të këmbëngulim për këtë,” tha Vuçiq kur u pyet nga gazetarët nëse do të kishte një takim në Bruksel më 28 shtator, pas raportimeve se mund të shtyhet takimi.