Përfundon seanca ndaj Gucatit, brenda 30 ditëve pritet aktakuza

Ka përfunduar seanca në Gjykatën Speciale ndaj kryetarit Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

Avokati mbrojtës i Gucatit, Jonathan Rees , ka kërkuar lirim me kusht dhe ka thënë se është parashtruar kjo kërkesë me shkrim.

“Keni kërkuar parashtrimet me shkrim, ne duam të marrim përgjigjen nga ju dhe të kemi lirimin me kusht. Arsyet që janë në parashtrimin tonë janë të arsyeshme. Duke marrë parasysh për çfarë akuzohet z. Gucati, natyrën dhe veprat të cilat mund të bien në fushën e veprimit të kësaj gjykate. Kemi propozuar paketë të plotë kushtesh që i përmbushin shqetësimet e prokurorisë”, ka thënë Rees.

Vet Gucati ka thënë se nga periudha e arrestimit dhe edhe tash në paraburgim janë sjellë të gjithë mirë.

“Çfarë tha mbrojtësi im nuk kam çfarë të shtoj më tepër. Arrestimi im prej Prishtine deri në Holandë ka qenë i mirë. Jam invalid i luftës me shkallë invaliditetit 75 për qind. Më kanë respektuar deri në arrestim edhe në paraburgim. E falënderoj stafin që sillen në mënyrën më korrekte ndaj meje duke e marrë parasysh shkallën e invaliditetit që kam. Atë që ka thënë avokati im nuk kam çfarë të shtojë”, ka thënë Gucati.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se ka ndërmend që brenda 30 ditësh të ngrehë aktakuzë për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili dyshohet se ka penguar drejtësinë, ndërkaq mbrojtja e tij kërkoi lirimin me kusht.

Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se mbrojta e Gucatit ka parashtruar katër ankesa me shkrim për të kundërshtuar legjitimitetin e arrestimit dhe transferimit të Gucatit në paraburgim në Hagë. Gjyqtari kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që deri më 2 tetor t’i përgjigjen këtyre kërkesave të mbrojtjes.

“Prokuroria e Specializuar ka ndërmend të dorëzojë aktakuzën brenda një periudhe 30 ditore”, tha prokurorja Valeria Bolici.