Ministri Quni vizitoi Akademinë Ushtarake të Turqisë

Në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të vizitës zyrtare katërditore në Republikën e Turqisë me ftesë të homologut të tij, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, sot ka realizuar vizitën në Akademinë Ushtarake Turke ku është pritur nga dekani i saj, prof. dr. Gultekin Yildiz dhe komandanti i Regjimentit Studentor të Akademisë, gjeneral brigade Gultekin Yarali.

Gjatë takimit, ministrin Quni, nikoqirët e njoftuan me strukturën organizative, sistemin arsimor, misionin, kapacitet akademike, qëllimin dhe detyrat kryesore të akademisë. Gjithashtu, ata e njoftuan edhe me të arriturat e kadetëve të FSK-së që studiojnë aktualisht në këtë akademi.

Nga ana e tij, ministri Quni, nikoqirët i përgëzoi për të arriturat e akademisë ushtarake turke duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për përkushtimin e tyre edhe në aftësimin sa më cilësor profesional e akademik të kadetëve tanë të cilët studiojnë aktualisht në këtë akademi.

Pas takimit me lidershipin e akademisë, ministri Quni realizoi takimin me kadetët e FSK-së që studiojnë në këtë akademi. Nga ta, ai u njoftua me rezultatet e tyre, kushtet e studimeve, sfidat si dhe preokupimet e tyre.

Me këtë rast, ministri Quni përgëzoi kadetët tanë për sukseset e arritura dhe vendosmërinë e përkushtimin e tyre për të arritur rezultate sa më të mira.

Ai u rikujtoi se përveç privilegjit si kadetë-student, keni edhe përgjegjësinë e ambasadorëve të shtetit dhe kombit si dhe jeni përfaqësuesit e vlerave e identitetit të ushtarakut të denjë të Kosovës, prandaj i inkurajoi të vazhdojnë të kultivojnë e ngritin sa më lart këto vlera në ambientin studimor shumëkombësh të akademisë përkatëse.

Akademia Ushtarake Turke është akademi ushtarake katër-vjeçare dhe pjesë e Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes së Republikës së Turqisë. Misioni i saj është zhvillimi psiko-fizik dhe akademik-profesional i kadetëve të ushtrisë turke dhe mbi 20 shteteve aleate dhe miqësore të saj nga regjione dhe kontinente të ndryshme të Botës.

Në kuadër të marrëveshjes dhe bashkepunimit bilateral të ministrive dhe forcave respektive, që nga viti 2011, krahas kadetëve tjerë, në këtë akademi studiojnë edhe kadetët e FSK-së.