Bayerni synon trofeun e pestë këtë sezon, përballet me Dortmund

Nga një Superkupë te një tjetër. Në harkun e 6 ditëve Bayerni Munich do të zbresë në fushë për të fituar një tjetër trofe që do të ishte i 5-ti sezonal.

Skuadra e Hansi Flick sfidon sot në mbrëmje, Borussia Dortmundit në finalen e Superkupës së Gjermanisë ndeshje që do të luhet në ‘Allianz Arena’ në orën 20:30.

Në gusht të vitit të kaluar Dortmundi e mposhti Bayernin 2-0 në Superkupë dhe kampionët e Gjermanisë do të kërkojnë të hakmerren pikërisht për atë disfatë por në të njëjtën kohë do të kërkojnë të reagojnë pas asaj humbjeje të thellë në fundjavë për javën e dytë të Bundesligas ndaj Hoffenheim me shifrat 4-1.

Bayerni është i plotë përpara kësaj sfide ndërkohë që Dortmundi ka disa mungesa ku spikasin ato të Sancho, Thorgan Hazard, Zagadou e Schmelzer.