Valbon Krasniqi: Situata më e qetë, por fundi i pandemisë duket se nuk është afër

Valbon Krasniqi, U.D i drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, ka thënë që situata me pandeminë, gjatë javëve të fundit është normalizuar.

“Jemi dëshmitar që këto 3 javët e fundit në Kosovë, kemi numër më të vogël të rasteve të të infektuarve; poashtu, kemi edhe numër të vogël të pacientëve që janë të shtrirë nëpër spitalet e përgjithshme edhe në klinikat e QKUK-së në Prishtinë”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.

“Tashmë ne kemi hyrë në muajin e shtatë; kaluam gjashtë muaj që nga fillimi i panedmisë në Kosovë dhe ne kemi për obligim që të ofrojmë shërbime edhe për pacientët tjerë. Qytetarët kanë hasur në vështirësi serioze për të marrë shërbimet tjera. Urojmë dhe presim që kjo të mos na përsëritet në Kosovë. Përjetuam periudha shumë të rënda, sa i përket menaxhimit të pandemisë. Kishim kërkesa të mëdha për trajtim spitalor dhe mbingarkesë të skajshme të spitaleve tona, gjatë muajit gusht kishim mbi 650 pacientë të shtrirë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar që respektimi i masave nga ana e qytetarëve sjell rezultate.

“Tash që kanë filluar shkollat ka më shumë ekspozim të njerëzve, kjo shtohet me mundësitë të kontakteve të shpeshta dhe mundësi të përhapjes së infeksionit. Nëse kthehemi prapa, Kosova kritikohej shumë për numrin e madh të rasteve edhe të infektuarve edhe të vdekurve. Kjo u pa që ishte një martaonë. Duhet ta shohim si një proces që ka një fillim, por ka edhe një fund i cili nuk po duket që është afër. Nga faza që e kaluam në korrik dhe në gusht, tash kemi situatën më të qetë. Duhet ta shohim në tërësi si proces e jo në periudha të ndara”, ka deklaruar ai.