Salih Mustafa dërgohet në paraburgim, Specialja konfirmoi aktakuzën kundër tij

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë konfirmuar aktakuzën ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett ka konfirmuar për lajmi.net arrestimin e tij si dhe konfirmimin e aktakuzës.

Bennett ka thënë se Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur.

“Salih MUSTAFA u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”, tha tutje Bennett.