Hoti: Asociacioni nuk diskutohet në dialog

Takimi i radhës i dialogut Kosovë-Serbi, i planifikuar të mbahet më 28 shtator në Bruksel ende është në pikëpyetje nëse do të ndodh.

Shkak për këtë është raportuar të jetë refuzimi i institucioneve të Prishtinës për të diskutuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

E se kjo temë nuk do të diskutohet në dialog, e konfirmoi sot edhe vetë kryeministri Avdullah Hoti.

Hoti në një konferencë për media tha se çështja e Asociacionit nuk është temë që hapet në dialog, ndërkaq tha se ende nuk e di nëse do të mbahet apo jo takimi në Bruksel.

“Për Asociacionin siç e kam bërë të qartë kjo temë nuk diskutohet sepse është e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj me marrëveshjen tjetër të parimeve të vitit 2015. Nuk është temë që hapet në procesin e dialogut. Nuk e di a do të mbahet takimi i ardhshëm në Bruksel, mbetet të shihet”, ka thënë Hoti.

Kryeministri ka theksuar se janë të vendosur që të qojmë përpara procesin e dialogut sepse sipas tij kjo është interes strategjik i Kosovës, i regjionit, i mbarë Evropës që mbyllet ky proces. /Telegrafi/