Zyrtarët e Speciales shfaqen sërish në zyrat e OVL-UÇK-së, marrin dosjet e reja

Mëngjesin e sotëm përsëri janë dorëzuar dosje të reja në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat pretendohet se janë të Gjykatës Speciale.

Zyrtarë të Gjykatës Speciale edhe sot kanë shkuar në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të marrë dosjet e reja të cilat u dërguan sot në këtë organizatë.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, sekretari i OVL e UÇK-së, Faton Klinaku.

“Po kanë ardhur dhe i kanë marrë dosjet që na janë dorëzuar sot”, ka thënë Klinaku.

Ai ka shtuar se kanë kërkuar nga zyrtarët e Speciales që t’i hetojnë personat të cilët po i sjellin këto dosje në zyrat e OVL e UÇK-së.

Në anën tjetër, gjatë ditës së sotme në një konferencë për medie, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se “Rrufeja 3”, i ka sjellë disa dosje shumë shpejt dhe ka ikur.

Gucati tha se në këto dosje ka emra të ndryshëm, mirëpo siç tha ai nuk janë të autorizuar t’i përmendin.

Mirëpo, nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj ka bërë të ditur edhe emrat të cilat përmenden në propozim aktakuzën që sot iu është dërguar në zyrën e OVL-UÇK-së.

“Me anglishten time të cunguar unë e shoh që është një projekt aktakuzë, propozim aktakuzë. Për pesë të akuzuar potencial siç janë Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi”, ka thënë ndër të tjerash Haradinaj në këtë konferencë.