Kurti e quan çorbë dhe çervish marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë!

Albin Kurti, ka thënë se duhet të shpëtohet njohja nga Izraeli nga pazari me Serbinë. Ai e ka vlerësuar marrëveshjen e arritur në Washington më 4 shtator, si një marrëveshje rrëmujë. Ku thotë se në jetën e tij nuk ka parë aq shumë gjëra në një faqe e gjysmë sa i përket negociatave.

Sipas tij kjo marrëveshje nuk është e implementueshme.

“Këto marrëveshje janë rrëmujë. Marrëveshje rrëmujë. Tekst me më shumë gjëra në një faqe e gjysmë nuk kam parë në jetën time sa i përket negociatave dhe dakordimeve të palëve të ndryshme, qofshin ato shtete apo organizata tjera. 5G, kishat ortodokse, autoudhat, hekurdhuat, Ujmani, dekriminializimi i homoseksualitetit, Hezbollahu, Izraeli, Jerusalemi. Kjo i bjen sikur dikush ka qenë duke shkruar dhe e ka pyetur dikë në sallë a kam harruar diçka të përmend. Ky tekst çorbë apo çervish, nuk është i implementueshëm. E ka karakterin elektoral. E kam mirëpriutur dhe e përshëndes njohjen nga Izraeli. Duhet të shfrytëzohet kjo për të krijuar sa më shumë ura bashkëpunimi në çdo aspekt. Por ne duhet që njohjen nga Izraeli ta shpëtojmë nga pazari me Serbinë. Është me rëndësi që këtë njohje nga Izraeli ta marrim dhe kontekstualizojmë në bashkëpunim bilateral, e jo me atë tekstin e 4 shtatorit, në të cilën qartazi Kosova i ka bërë shumë koncesione Serbisë e Serbia i ka bërë pak koncesione SHBA-së. Ishte koncensionim në kaskadë, ku ne bëjmë shumë e Serbia pak. Ne karshi Serbisë e Serbia karshi SHBA-së”, ka thënë Kurti për DESKUN.