Haradinaj: Jam i befasuar me aftësitë e Grenellit

Ardhja e delegacionit të Qeverisë së SHBA-së në Kosovë, për më pak se tri javë pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, po shihet si diçka që nuk është parë asnjëherë deri më tash nga kryetari i AAK-së.

Ramush Haradinaj ka çmuar lart punën e emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell duke shtyrë përpara marrëveshjen për normalizim ekonomik të 4 shtatorit.

“Jam i befasuar me zotësitë e Grenellit. Jam i mahnitur me fuqinë e delegacionit amerikan për temat. Është e paparë të futen menjëherë temat në zbatim pas arritjes së marrëveshjes. Nuk duhet të shihet pak kjo. Nuk mund pa ia pranuar meritën Grenellit”, është shprehur ai në Rubikon.

I pari i AAK-së megjithatë e ka pranuar se në vizitën e djeshme të delegacionit të qeverisë amerikane në Prishtinë nuk ishte takuar me ish-ambasadorin Grenell, me të cilin ka komunikime të rregullta, pavarësisht asaj se ata kanë mos pajtime.

“Nuk mund të them se më ka mikun më të mirë në Kosovë. Unë i kam treguar se cili është problemi më i madh i ynë. Ata janë profesionistë dhe njerëz të zot. S’është puna që nuk iu besoj, por unë e marrë rrogën nga Kosova, ndërsa Grenelli paguhet nga Trump”, është shprehur ai.