Përplasje me Arben Gashin e LDK-së, Memli Krasniqi: Edhe s’i keni numrat, edhe keni arrogancë

Dështimi i votimit të pakos për rimëkëmbje ekonomike ka “përplasur” PDK-në me LDK-në në seancën e sotme plenare.

Partia e Kadri Veselit e ka quajtur arrogante qeverinë Hoti, duke thënë se përveç që janë të paafatë, nuk janë edhe të interesuar për të kaluar projektligjin, pasi nuk janë angazhuar për të harmonizuar qëndrimet në Kuvend. Por në LDK e mohuan këtë, derisa edhe i bënë thirrje PDK-së që të sjellin me shkrim propozimet e tyre për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi tha se koalicioni qeverisës po derdhë vetëm lot krokodili për shkak të mungesës së numrave në kuvend.

“Koalicioni qeveritar me thënë më së buti është komplet i pasinqertë, përveç që është edhe i paaftë totalisht për me kalu çfarëdo vendimi në këtë Kuvend. Nuk është punë e kësaj jave ose javës kaluar, por është punë e 5-6 muajve të fundit. Këta që janë në qeveri kanë refuzu me diskutuar për pakon financiare që i ndihmon qytetarët e Kosovës…sot me derdh lot të krokodilit është turp sepse janë vetëm duke munduar me arsyetuar para qytetarëve për paaftësinë e tyre themelore për me kalu çfarëdo ligji, apo iniciative në Kuvend. Këta nuk janë të interesuar, sikur të kishin interesimin e vetëm kjo punë ndoshta deri tash do të kishte ndodhur. Por le të dinë kushdo që këta janë edhe të pafatë me kalu ligje, por janë edhe të pa interesuar me kalu ligje”, tha ai.

Këtij i reagoi shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se disa herë kanë kërkuar bashkëpunim me PDK-në, por ka munguar gatishmëria nga ana e tyre.

“Në tri seancat e fundit kam bërë ftesë publike të bini gjitha propozimet me shkrim dhe ne do t’i marrim në konsideratë. Të paktën në tri seancat e fundit, publikisht ftesë. Sjellin me shkrim cilat janë propozimet e juaja në të cilat duhet të hyjnë në projektligjin e rimëkëmbjes ekonomike dhe ne t’i inkorporojmë”, u shpreh Gashi.

Por këtë e mohoi, Krasniqi i cili vuri në mëdyshje dëshirën e grupit parlamentar të LDK-së për t’ia votuar qeverisë Hoti pakon për rimëkëmbje.

Krahas kësaj shprehu gatishmërinë që partia e tyre të votojë si të veçantë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional.

“Ti nuk don me kry punë, ti as iniciativën minimale nuk e ndërmarrë për me kalu këtë ligj. A s’doni me ia kalu ju si grup parlamentar qeverisë, a keni arsye tjera atë nuk e di…nëse don veç për 10 përqind unë sot po iu sigurojë mblidhemi në procedurë urgjente e bëjmë plotësim-ndyrhsimin e Fondit Pensional iu lejojnë njerëzve të tërheqin, ndoshta 10 ndoshta 20 për qind me bo. Ju nuk e keni këtë dert, keni derte tjera”, tha ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë punimet e seancës plenare ku në rend të ditës janë edhe disa pika tjera.