Ismaili akuzon Kurtin për rrezikim të sigurisë kombëtare

Me anë të një postimi në Facebook, Uran Ismaili,deputet nga rradhët e PDK-së, ka thënë se ky aksion ka goditur krimin dhe ka dërguar sinjal të qartë për të gjithë ata që kanë zgjedhur të mirren me këtë veprimtari ilegale.

Por, siç ka thënë Ismaili, është shqetësues fakti se si operacione të këtilla konfidenciale po bëhen objekt i konfrontimeve të ulëta politike mes VV-së e LDK-së.

“Nga përplasjet në Kuvendin e Kosovës dhe nga studiot televizive, kuptuam se ish Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të marrë masa kundër krimit të organizuar. Edhe pse u tha se gjithçka kishte qenë gati për këtë operacion, Kurti ishte bërë avokat i këtij aktiviteti – duke zgjedhur mosveprimin. Por, nuk zgjodhi heshtjen. Në një intervistë televizive, Kurti rrëfen me qetësi se kishte refuzuar dy herë planin e policisë për goditjen e krimit”, ka shkruar ai.

Madje ai ka akuzuar kreun e VV-së, Albin Kurti se ka rrezikuar sigurinë kombëtare kur ka treguar se si e ka ndaluar aksionin e Policisë në Karaçevë.

Postimi i plotë i Ismailit:

Policia e Kosovës, me aksionin e ndërmarrë në zonën kufitare të Karaçevës, goditi krimin dhe dërgoi sinjal të qartë për të gjithë ata që kanë zgjedhur për veprimtari të tyre kazinotë – tashmë të ndaluara me ligj.

Mirëpo, është shqetësuese që operacionet konfidenciale bëhen objekt i konfrontimeve të ulëta politike nga VV dhe LDK.

Nga përplasjet në Kuvendin e Kosovës dhe nga studiot televizive, kuptuam se ish Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të marrë masa kundër krimit të organizuar. Edhe pse u tha se gjithçka kishte qenë gati për këtë operacion, Kurti ishte bërë avokat i këtij aktiviteti – duke zgjedhur mosveprimin. Por, nuk zgjodhi heshtjen. Në një intervistë televizive, Kurti rrëfen me qetësi se kishte refuzuar dy herë planin e policisë për goditjen e krimit.

Me zbulimin e këtij informacioni – se po mendohej të goditej krimi në Karaçevë, Kurti ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe sigurinë e policëve dhe udhëheqësve të këtij operacioni. Pra, këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi të dyfishtë:

Pengimin e marrjes së vendimit.

Zbulimin e informacionit se një operacion i tillë është duke u përgatitur.

Me të parën, Kurti tregoi se heziton t’i dalë përballë krimit. Me të dytën, ai i paralajmëroi dhe informoi paraprakisht dhe publikisht kazinotë për një operacion të tillë, duke u dhënë kështu mundësi për t’u kujdesur në mbulimin e krimit.