Ministri Veliu përmbush brenda orësh zotimin,ndërhyn në Karaçevë

Sot në Kuvend në rend dite ishte edhe raportimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.

Atij iu vërsulen deputetët e VV-së për hyrjen e xhandarmërisë serbe dhe kazinove ilegale në Karaçevë, derisa për këtë të dyten, Veliu paralajmëroi se shumë shpejt do ia “dëgjojnë krismën”, duke menduar për aksion e masiv të mbrëmjës së sotme që u zhvilluar në brezin kufitar me Serbinë.

Vetëm katër orë pas fjalëve të ministrit, paralajmërimi doli i saktë, Forcat Speciale të Policisë kosovare me qindra trupa ndërmorën aksion pikërisht në Karaçevë ku arrestuan dhjetëra persona dhe po rrënojnë kazinot e vendosura aty, shkruan RTKLive.

Qindra policë u mobilizuan sonte për t’i dhënë goditje krimit dhe korrupsionit në zonën kufitare të Karaçevës, ku dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore është ushtruar trafikim me qenie njerëzore, prostitucion, kontrabandë, organizim i lojërave të fatit dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Mësohet se ky mobilizim në këto përmasa vjen si rezultat i një pune të gjatë hetimore të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, e asistuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, e cila ka shpërfaqur se zona e Karaçevës është përdorur si fole e sigurtë e krimit.

Në mbështetje të këtij aksioni, mësohet se janë vënë në gatishmëri edhe Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

Kujtojmë se, sipas deklarimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ky aksion ishte planifikur të organizohej edhe në muajin shkurt, mirëpo sipas tij, i njëjti nuk ishte aprovuar nga ish-kryeministri Albin Kurti.