Ndihma e Shqipërisë ndaj Kosovës, KEK: Bashkëpunimi po tregon rezultate pozitive në tejkalimin e krizës

Gjatë ditës u bë e ditur se falë bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike.

Rreth kësaj ka reaguar nga vetë Korporata Energjetike e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Në reagimin e KEK-ut thuhet se bashkëpunimi mes tyre dhe KESH po tregon rezultate pozitive në tejkalimin e krizës energjetike.

Po ashtu thuhet se bashkëpunimi i ndërsjellë në mes KEK dhe KESH çdo ditë e më shumë po tregon rezultatet pozitive në tejkalimin e kësaj krize nga ku përfitues janë qytetarët e të dyja vendeve!

Postimi i plotë:

Bashkëpunimi në mes KEK dhe KESH po tregon rezultate pozitive në tejkalimin e krizës energjetike

KEK deri më tani ka depozituar mbi 120,000 MWh energji elektrike në KESH, kjo me qëllim të zbutjes së kërkesës   në ngritje për energji elektrike në Shqipëri.

Duke qenë se sot konsumi vendor në Kosovë ka shënuar ngritje në orë të caktuara (në kohë të pikut), KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë kanë ndërmarrë veprime të shpejta me ç’rast nga ora 14:00h janë siguruar 100 MWh/h nga energjia e depozituar e KEK-ut në KESH dhe paralajmërimi për reduktime u ndalua.

Bashkëpunimi i ndërsjellë në mes KEK dhe KESH çdo ditë e më shumë po tregon rezultatet pozitive në tejkalimin e krizës energjetike nga ku përfitues janë qytetarët e të dyja vendeve!

Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete.