Ademi viziton djemtë e bashkatdhetarëve që janë grumbulluar me Kosovën U17, ka një falënderim të veçant për prindërit e tyre

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka vizituar sot gjatë ditës djemtë e bashkatdhetarëve që luajnë në klube të ndryshme evropiane.

I pari i institucionit më të lart të futbollit në vend vizitoi futbollistët e rinj që janë grumbulluar me Kombëtaren U17 të Kosovës në Hajvali, shkruan Demokracia.com.

Ademi nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka njoftuar se në këtë grumbullim po marrin pjesë 47 futbollistë nga Finlanda, Belgjika, Italia, Zvicra, Gjermania e vende të tjera. Këta futbollistë po stërviten me stafin e trajnerëve në krye me Arsim Abazin.

Ademi ka falënderuar prindërit e futbollistëve që kanë rritur fëmijët e tyre në Evropë në frymën e atdhedashurisë.

Postimi i plotë:

Sot pata kënaqësinë t’i vizitoj dhe t’i përshëndes djemtë e bashkatdhetarëve tanë, që luajnë në klubet e ndryshme të Evropës, të cilët janë përfshirë në grumbullimin e Kombëtares U17 në Hajvali.

Në këtë grumbullim po marrin pjesë 47 futbollistë nga Finlanda, Belgjika, Italia, Zvicra, Gjermania dhe shtetet tjera evropiane, të cilët po stërviten me stafin e trajnerëve në krye me Arsim Abazin.

I falënderoj prindërit e futbollistëve që kanë rritur fëmijët e tyre në Evropë në frymën e atdhedashurisë, pasi përpos të mirave tjera që i japin Kosovës, ata kujdesen edhe për ngritjen e imazhit të shtetit tonë nëpërmjet futbollit.

Faleminderit Diasporë. A.A.