Belgjika zotohet ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla po vazhdon vizitën në Bruksel, ku sot ka takuar zëvendëskryeministren e Ministren e Administratës Publike, Petra De Sutter.

Sveçla e ka falenderuar De Sutter për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe e ka njoftuar, siç ka thënë ai, “për të arriturat e qeverisë sonë, ndër të tjera në sundimin e ligjit e luftimin e krimit dhe korrupsionit”.

“Diskutuam për projekte konkrete në fushën e administratës publike, konkretisht në projektet tona në fushën e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe procedurave administrative, proceset e rekrutimit si dhe në përmirësimin e sigurisë kibernetike”, ka shkruar Sveçla.

Po ashtu thuhet se De Sutter shprehu gatishmërinë e saj për mbështetjen e shtetit belg në projektet e administratës publike si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Gjatë këtij takimi miqësor u dakorduam për nevojën e zgjerimit dhe fuqizimit të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, ka shkruar Sveçla.