​Dorëheqja e Zaevit rrezikon paktin me Sofjen, Osmani: Nëse bie qeveria, dështimi është i sigurt

Qeveria kishte paralajmëruar intensifikim të negociatave me Bullgarinë pas përfundimit të zgjedhjeve në të dy vendet por dorëheqja e paralajmëruar e kryeministrit Zoran Zaev komplikon situatën.

Autoritetet kishin shpresa për epilog pozitiv në një afat prej dy javësh pas zgjedhjeve të 14 nëntorit në Bullgari, me qëllim që vendi të mund të merrte datë nga BE-ja në Samitin e dhjetorit. Nëse Qeveria e Zaevit bie, të gjitha shpresat për datën gjatë Presidencës sllovene shuhen.

“Askush nuk mund të jetë i sigurt se do të ketë një zgjidhje në dhjetor, por se nuk do të ketë zgjidhje nëse do të destabilizohet Qeveria, pa një alternativë të sigurt, kjo është e sigurt. Ne kemi një dritare mundësie në dhjetor. Mendojmë, ka sinjale dhe ka parakushte se mund të gjejmë një zgjidhje për të mbajtur mbledhjen e parë ndërqeveritare atëherë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Edhe nëse Qeveria bie dhe komisioni i përbashkët i historisë vazhdon punën, mes vendeve nevojitet edhe marrëveshje politike.

Kërkesa kryesore e partisë së ish-kryeministrit Bojko Borisov, e cila është përsëri favorite për të formuan Qeverinë në Sofje, ishte përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë Veriore. Për këtë nevojitet 2/3 e votave në Kuvend, por qeveria shpresonte për të paktën një marrëveshje parimore, e cila do t’i hapte rrugën evropiane Maqedonisë Veriore.

Gazeta gjermane Frankurter Allgemeine Zeitung (FAZ) shkruan se disfata e Zaevit është edhe disfatë e BE-së, e cila nuk arriti të jep datë për vendin, edhe pas rreziqeve që ai ndërmori.