Thursday, May 9, 2024
Home INFO Ballkani dhe Malisheva e mirëpresin projektin e katapultave GPS

Ballkani dhe Malisheva e mirëpresin projektin e katapultave GPS

Presidenti Agim Ademi ka vazhduar vizitat e tij në klubet e Superligës në kuadër të procesit të digjitalizimit.

Ai ka thënë se realizimi i këtij projekti ka qenë mjaft i kushtueshëm, por FFK është këmbëngulëse që në bazë të mundësive të saj të ndihmojë klubet në të gjitha segmentet, duke përfshirë edhe sistemin e digjitalizimit.

“Këto pajisje në dukje duken të vogla, por janë shumë të rëndësishme në procesin e punës sa më profesionale të skuadrave. Për këtë arsye kemi vendosur t’i mbështesim klubet edhe me këtë projekt, duke u bërë federata e parë që e aplikon një sistem të tillë tek të gjitha klubet e Superligës. Pra, pas sistemit VAR, që po ashtu jemi ndër federatat e para në Ballkan që e kemi filluar zbatimin në të gjitha ndeshjet e Superligës, tani po ia mundësojmë klubeve që nëpërmjet katapultave GPS të kenë të gjitha statistikat fizike të futbollistëve dhe kësisoj të kenë më të lehtë analizimin e aspekteve fizike po edhe atyre taktike”, ka thënë presidenti Ademi.

Ai po ashtu ka falënderuar drejtuesit e klubeve që po investojnë në futboll dhe po i ndihmojnë skuadrat si në ngritjen profesionale, ashtu edhe në atë të cilësisë.

Ndërkaq, drejtuesit e të dyja klubeve u shprehën falënderuese ndaj FFK-së dhe kreut të saj, i cili me projekte të tilla po e ndihmon progresin e futbollit kosovar. “Falënderoj presidentit Ademi që ka ardhur për vizitë në klubin tonë dhe i jam mirënjohës fillimisht për realizimin e projektit VAR, sepse pa iniciativën e tij një projekt i tillë nuk do të realizohej, e po ashtu e falënderoj edhe për projektin e katapultave GPS, të cilët në futbollin e sotëm modern janë shumë të nevojshme”, ka thënë presidenti i KF Ballkanit, Arsim Kabashi.

Edhe në vizitën në Malishevë, drejtori i këtij klubi Kastriot Kafexholli ka falënderuar FFK-në që në vazhdimësi po i qëndron afër klubeve dhe krahas përmirësimit të infrastrukturës po investon drejtpërdrejt edhe në digjitalizimin e klubeve. Ai ka thënë se pajisja e klubit me katapultat GPS është e mirëseardhur për shtabin teknik të skuadrës, i cili tash e tujte do ta ketë më të lehtë analizimin e formës fizike të secilit.