Haradinaj për masakrën e Izbicës: Një dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë

Në 24-vjetorin e masakrës së Izbicës, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se kjo masakër është një ndër më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.

Ai ka theksuar se masakra e Izbicës është “dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë”, përcjell teve1.info

“Më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë forcat ushtarake e policore të Serbisë, vranë mizorisht 147 shqiptarë të pafajshëm. Atë ditë, armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë – as Dafinën 6 muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi. Masakra e Izbicës e shumë të tjera që kanë ndodhur në tokën tonë, janë një dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë, një rrugë plot vuajtje e sakrifica. Sot, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën në këtë masakër, duke nderuar sakrificën e tyre, e cila u bë themel i lirisë që e gëzojmë sot. Lavdi!”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.