ShBA e Gjermania të pakënaqur me Kurtin, i dërgojnë paralajmërime serioze

Kryeministri Albin Kurti çdo ditë e më shumë po acaron raportet me aleatët e Kosovës.

Kurti pasi i ka acaruar në maksimum raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tash duket se as me Gjermaninë nuk i ka punët mirë, shkruan Demokracia.com.

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka paralajmëruar se rruga që po ecën Kurti në dialog s’është në interes të Kosovës.

“Rruga në të cilën po ecën qeveria e zotit Kurti në dialog, në planin afatgjatë, kam frikë se kjo mund të mos jetë e mirë në interesin e Kosovës, për afrimin me Bashkimin Evropian. Kam frikë se kjo mund të çojë më shumë në një drejtim të mbështetjes tek vetja dhe humbjes së mundësive për të shkuar drejt Bashkimit Evropian”, tha Sarrazin në një intervistë për Abcnews.al.

Kurse, të enjtën, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, dha një deklaratë që është shqetësuese për qytetarët e Kosovës.

Hovenier tha se SHBA-ja është e pakënaqur me kualitetin e partneritetit me qeverinë Kurti.

“Mund të them me sinqeritet se nuk mendoj që qeveria ime mund të sinjalizojë më qartë se ne jemi të pakënaqur me kualitetin e partneritetit me qeverinë Kurti në këtë kohë. Se ne nuk besojmë se qeveria Kurti ka vëmendje të mjaftueshme ndaj shqetësimeve, të cilat vazhdimisht i kemi ngritur në lidhje me zbatueshmërinë e rregullores së Bankës Qendrore”, kishte thënë Hovenier në takim me gazetarët.

Deri më tani askush nga Lëvizja Vetëvendosje apo Qeveria Kurti s’është përgjigjur ndaj këtyre deklarimeve.