Arrestohet një 22 vjeçar në Prishtinë, dyshohet për fajde dhe kërcënim

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se është arrestuar një 22 vjeçar në Prishtinë, i cili dyshohet për fajde dhe kërcënim.
Rasti në polici është raportuar të mërkurën, ndërsa sot ka ndodhur arrestimi.

“Më datë 07.10.2022, rreth orës 18:00, është raportuar për një rast Kanosje në stacionin policor jugu në Prishtinë. Menjëherë pas raportimit policia ka filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë verimet e nevojshme operativo-hetimore që kanë rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit; A.O, mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili mbrëmë rreth orës 22:00, është intervistuar nga ana e policisë dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje.”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit, policia të dyshuarit i ka sekuestruar edhe një armë zjarri.

“Personit të dyshuar policia i ka sekuestruar: një armë zjarri TT, një karikator, një thikë si dhe shtatë fishekë.”, njofton PK-ja. Hetuesit policor në koordinim me institucionet, përkatëse kanë kryer edhe procedurat rreth tri urdhëresave të gjykatës, që i dyshuari i ka për vepra të tjera.