KDI: SHSKUK-ja bleu oksigjen 57 mijë euro më shtrenjtë në krizën e pandemisë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka analizuar dy kontratat e Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për furnizim me oksigjen.

Sipas KDI-së, oksigjeni (në formë të gaztë dhe atë të lëngshme) ka qenë një nga produktet që është përdorur më së shumti për trajtimin e pacientëve të shtrirë në spitale gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Sipas KDI-së, në dy rastet të kontratave me kompanitë “Medical Group” dhe “Medica” është blerë oksigjen në vlerë prej 57 mijë eurove më tepër, derisa ka pasur ofertues me çmime më të ulëta.

“Çmimi i kontratës për një kilogram oksigjen ishte 1.68 euro dhe në total kontrata parashihte që të porositeshin 485,736 kg. Mirëpo vetëm dy muaj më vonë, më 23 korrik 2020, SHSKUK-ja nënshkruan një kontratë tjetër përmes procedurës së negociuar me kompaninë ‘Medica’, për furnizim të njëjtë, mirëpo këtë herë me çmim 2.01 euro për kg oksigjen, respektivisht rreth 20% më shtrenjtë për njësi. Sasia që është porositur përmes kësaj kontratë është 44,250 kg në vlerë prej 88,942.50 euro. Duke qenë së në kohën e zhvillimit të këtij prokurimi, SHSKUK-ja veçse kishte një kontratë aktive me ‘Medical Group’ ka mundur që të njëjtën sasi ta porosisë përmes kësaj kontrate në çmim prej 14,602.50 eurove më lirë”, thuhet në raportin e KDI-së.

Ndërkohë, KDI-ja ka analizuar edhe një aktivitet tjetër të prokurimit, që ka të bëjë me furnizimin me oksigjenin e lëngshëm. SHSKUK-ja më 1 prill 2021 publikoi aktivitetin e prokurimit “Furnizim me oksigjen medicinal për nevojat e SHSKUK-së” për furnizim me 5.2 milionë litra oksigjen në vlerë të parashikuar prej 2.44 milionë eurove.

Vlera e parashikuar për një litër oksigjen ishte 0.47 euro, bazuar në kontratën paraprake me “Medical Group”. Për këtë tender, SHSKUK-ja kishte pranuar tri oferta të përgjegjshme (Medical Group SHPK me çmimin për litër 0.38 €; Liri – Med SHPK me çmimin për litër 0.46 € dhe NPT “Medica” me çmimin për litër 0.37 €), me çmime prej 2% deri në 21% më lirë se kontrata aktuale. Megjithatë, pas rreth 50 ditësh nga dorëzimi i ofertave, ky tender ishte anuluar sipas kërkesës nga Barnatorja Qendrore nën arsyetimin se me uljen e rasteve me COVID-19 është zvogëluar edhe kërkesa për oksigjen medicinal. Anulimi i kësaj procedure do të nënkuptonte që do të vazhdohej me porositje të oksigjenit me kontratën aktive në atë kohë (kontrata me OE “Medical Group”, me çmim 0.47 euro për litër), por që në muajin qershor 2021 kishte arritur në rreth 84% të sasisë së shpenzuar.

KDI-ja ka gjetur se, edhe pse është anuluar tenderi, SHKSUK-ja vetëm gjatë muajve maj – gusht 2021, kur është nënshkruar një kontratë e re duke përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kishte porositur 428,000 litra oksigjen. Po të llogariten me çmimin e kontratës ekzistuese 428,000 litra oksigjen kanë kushtuar 201,160 euro, ndërsa nëse do të nënshkruhej kontrata me kompaninë “Medica”, kjo sasi do të kushtonte 158,360 euro (428,000 * 0.37), respektivisht 42,800 euro më lirë.

“Më 27 gusht 2021, SHSKUK-ja nënshkroi kontratë të negociuar me kompaninë ‘Medical Group’, me çmim 0.36 euro për një litër oksigjen. Pra kjo kontratë ka mundur të mos ekzistonte fare, sikur të lidhje kontrata në muajin qershor me kompaninë ‘Medica’, me çmim prej 0.37 eurove”, thuhet në raportin e KDI-së.

KDI-ja vlerëson se si pasojë e mospërgatitjes, trajtimin e dukur të nevojave për oksigjen dhe veprimeve të gabuara, në të dy rastet e sipërcekura për furnizim me oksigjen, SHSKUK-ja i ka shkaktuar humbje buxhetit publik prej rreth 57,000 eurove.