Dëmtimi i objekteve të Gjykatave, kërkohet shtimi i sigurisë rreth tyre

Pas ndalimit të tre të miturve, një person i katërt është arrestuar për zjarrvënie e dy zyrave në Gjykatën e Ferizajt në degën e Kaçanikut. Njohës të fushës dhe monitorues të gjykatave vlerësojnë se kjo përbën një alarm për sigurinë e gjykatave në vend për të cilën kërkojnë shtim të masave.

Disa orë pasi tre të mitur u ndaluan për rastin e zjarrvënies ndaj objektit të Gjykatës së Ferizajt, në degën e Kaçanikut, nën pranga u vu edhe një i rritur.

Ndaj të katërve, Gjykata ka caktuar nga 1 muaj paraburgim. Megjithatë, raste si ky kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e objekteve të gjykatave.

Ndonëse e konsideron të kënaqshme nivelin e sigurisë, Liridon Salihu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkon që siguria të shtohet.

“Në përgjithësi si GLPS ngase e monitorojmë punën e gjykatave dhe prokurorive në nivel vendi, vlerësojmë se niveli i sigurisë është relativisht i kënaqshëm, mirëpo raste të tilla si ky që po dyshohet si zjarrvënie në objektin e degës në Kaçanik, janë sinjal që edhe gjykatat mund të jenë cak i veprimeve të ndryshme kriminale. Prandaj, ky rast duhet të jetë sinjal për KGJK-në që të marrin hapa konkret dhe t rrisin nivelin e sigurisë në këto objekte”, tha Liridon Sailihi nga “GLPS”.

Por mendim të njëjtë nuk ndajnë njohës të sigurisë. Valdet Hoxha kërkon që të ndërmerren një sërë veprimesh për të parandaluar dëmtimin e objekteve gjyqësore.

“Natyrisht që përballë krimit gjykatat nuk mund të jenë imune por vlerësoj që siguria e objekteve të gjykatave është relativisht e brishtë dhe duhet t’i kushtohet një kujdes i veçantë si në aspektin e kuadrave njerëzor profesioniste në aspektin e sigurisë, po ashtu edhe në vendosjen e pajisjeve brenda gjykatave siç janë detektorët, po ashtu edhe në ambientin e jashtëm të gjykatave, vendosja e kamerave të sigurisë dhe mjeteve të tjera”, tha ish-zv.ministri i Brendshëm, Valdet Hoxha.

Nga zjarri në Gjykatën në Kaçanik u dogjën dy zyra të gjyqtarëve. Flakët shkaktuan dëme të mëdha materiale, përfshirë këtu edhe lëndë të ndryshme gjyqësore për të cilat, gjykata ka deklaruar se janë të ruajtura në formën elektronike.

Të miturit kishin depërtuar brenda Gjykatës përmes shkallëve emergjente me ç’rast kanë hedhur shishe me benzinë brenda zyrave të gjyqtarëve.

Gjykata i ka thënë Dukagjinit se nga jashtë, njëri ka ndezur zjarrin, gjersa dy të tjerët bënin roje përreth objektit.