Dhjetë arsyet pse duhet të vizitohet Kosova në vitin 2024 sipas blogerëve të huaj

Sipas blogerëve të huaj Kosova ende po vuan mungesën e turistëve të huaj për shkak të paragjykimeve të së kaluarës, pavarësisht se ka shumëçka për të ofruar.

Gjatë vitit 2023 të shumta kanë qenë reportazhet e mediave të huaja për plazhet e Shqipërisë dhe bukuritë tjera të pazbuluara të këtij vendi.

Por Kosova vazhdon të jetë më së paku e vizituar në rajon dhe me më pak impakt në mediat ndërkombëtare sa i përket turizmit dhe asaj çfarë ofron vendi për të huajt.

Edhe pse rekomandohet herë pas here, Kosova sërish mbetet vend i pazbuluar nga jashtë.

Megjithëse diaspora e madhe kosovare plotëson pothuajse të gjithë boshllëkun e turistëve të huaj, vendi ynë ka shumëçka për të ofruar edhe për të huajt.

Dhe ky fakt nuk ka mbetur pa rënë në sy edhe nga mediat dhe blogerët perëndimorë gjatë vitit  që po lëmë pas.

Kamila Napora është një blogere polake që ka vizituar shumë vende të botës. Por asaj nuk i munguan as vizitat në Kosovë, e cila nuk ngurron t’i ndajë eksperiencat me ndjekësit e saj.

Ajo thotë se Kosova dhe Moldavia janë vendet më pak të vizituara në Evropë, derisa për vendin tonë thotë se ka shumëçka për të vizituar.

“Kam qenë dy herë në Kosovë deri tani dhe mund t’ju siguroj se vendi ka shumë për të ofruar, veçanërisht për vizitorët më kuriozë dhe aventurierë”, shkruan Kami në blogun e saj në një shkrim të tetorit të 2023-ës.

Ajo ka thënë se padyshim do të rekomandonte që të vizitohet Kosova pasi sipas saj janë shumë arsye, si çmimet e lira, natyra e padëmtuar e njerëzit miqësorë etj.

Një prej web faqeeve më të njohura që janë pikë referente për turistët, Lonelyplanet ka rekomanduar të vizitohet Kosova në vitin 2024 për shkak të shtegut të çiklizmit Trans Dinarica që pritet të lansohet këtë vit.

Trans Dinarika është i pari shteg që pritet të lansohet në vitin 2014 që do të përshkojë Slloveninë, Kroacinë,  Bosnjën, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën e Serbinë.

Kjo web faqe thotë se përmes shtegut në fjalë do të shijoni vargmale, dete, liqene e lumenjë.

Funkytours, është një tjetër portal interesant që gjatë vitit që lamë pas rekomandoi të vizitohet Kosova.

Edhe ky portal thotë se paragjykimet ndaj Kosovës kanë ndikuar që vendi mos të ketë shumë turistë.

Sipas ekipit të turistëve të faqes, Kosova tashmë është vend i pavarur dhe duhet larguar paragjykimet për paqëndrueshmëri të saj në aspektin e sigurisë.

“Nëse jeni një qytetar i respektueshëm i botës me një vetëdije për dallimet kulturore, siguria është një shqetësim rrallë në Kosovë”, shkruan portali.

Shumica e qyteteve në Kosovë kanë transport publik të shpeshtë dhe të besueshëm, dhe shumica e autobusëve kanë ajër të kondicionuar për rehatinë tuaj, thotë tutje portali.

Sipas ekipit që e ka përgatitur reportazhin për Kosovën, edhe pse feja luan rol të rëndësishëm në Kosovë, askush nuk paragjykohet për besimin fetar.

Sipas tyre në Kosovë lëvizja për ata që e dinë gjuhën angleze është fare e lehtë.

A ia vlen të vizitohet Kosova? – pyesin ata?

“Sigurisht se po. Janë male spektakolare, maja gëlqerore, grykat më të thella evropiane, përrenjtë magjepsës, ujëvarat dhe bollëku i shpellave, rrugët e përdredhura, fshatrat mesjetare dhe kultura e ngrohtë mikpritëse e cila e ngritur si një përzierje e kulturës evropiane dhe lindore do të ofrojë 100% një udhëtim tek ju që do të kujtohet gjatë”, përfundon shkrimin funkytours.

Një shkrim shumë të fuqishëm në promovimin e turizmit në Kosovë gjatë vitit 2023 e ka bërë edhe blogerja Allison Green.

Ajo ka vizituar më shumë se 70 vende të botës dhe shkrimet e saja janë pasqyruar në shumë media prestigjioze si National Geographic, CNN, CNBS, Forbes etj.

Me te gjithë ndjekësit e saj ajo ka ndarë disa nga gjërat që mund të bëhen në Kosovë.

Edhe ajo sikurse blogerët dhe blogjet tjera turistike, e nis shkrimin me paragjykimet që ekzistojnë për Kosovën.

Ajo kujton se lufta e vitit 1999 e ka bërë të veten dhe se ngjarjet në veri të vendit kanë ndikim në perceptimin e turistëve, por me gojën plotë Allison thotë se Kosova nuk është aspak vend i rrezikshëm për t’u vizituar.

Për më tepër autorja thotë se në Kosovë nuk do të keni problem me komunikimin pasi që shumica e të rinjve flasin mirë anglishten.

Ajo thotë se për ata pak turistë të huaj që vizitojnë Kosovën, ka një tendencë për të vizituar kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, por sipas saj harrojnë që ajo që duhet patjetër për t’u vizituar janë Peja dhe Prizreni.

“Prishtina është argëtuese dhe moderne, dhe megjithëse mendova se do të isha aty vetëm dy net, përfundova duke u argëtuar aq shumë sa e zgjata qëndrimin tim në katër”.

Por më shumë më pëlqeu arkitektura e bukur osmane e Prizrenit dhe peizazhi mahnitës malor i Pejës”, shprehet blogerja.

Ajo thotë se në Kosovë ka shumë gjëra për të bërë dhe është e vështirë të dish nga të fillosh.

Megjithatë turistja ka dhënë rekomandimet e saja.

Vizita e xhamive të vjetra

“Kosova është një vend me shumicë myslimane, edhe pse duhet të vini re se është një shoqëri shumë laike. Kosova ka shumë xhami të bukura që janë shumë mikpritëse për të huajt”, kujton ajo.

“Ndërsa do të shihni disa gra që veshin hixhab dhe vishen me modesti, shumica e grave preferojnë të vishen me stilet perëndimore të veshjeve”, shton blogerja.

Vizita te New Born dhe statuja e Bill Clinton

Allison kujton se vizita të monumenti i New Born është diçka që ja vlen, duke treguar historinë e tij dhe të shpalljes së pavarësisë.

Derisa thotë se në qendër të Prishtinës jo shumë larg monumentit New Born, ekziston statuja simpatike e Bill Clinton.

Ajo tregon rolin e ish-presidentit amerikan për lirinë e Kosovës.

Kafenetë

Në gjithë Ballkanin kultura e kafe-barëve është e përhapur. Por turistes i ka bërë përshtypje se në Kosovë njerëzit qëndrojnë me orë të tëra me një makiato apo ekspreso para dhe qajnë hallet me njëri – tjetrin.

“Një gjë që më pëlqente shumë të dëshmoja është se si të moshuarit mbajnë lidhje dhe miqësi të forta. Gjatë gjithë kohës që vizitoja Kosovën – veçanërisht në Prizren – pashë pleq në të 60-at dhe 70-at duke pirë kafe në grupe prej tre ose katër vetash. Brezi i vjetër janë të lidhur aq miqësisht mes vete, saqë mendoj se na mungon në Amerikën e Veriut dhe në Evropën Perëndimore”, rrëfen ajo.

Shëtitjet në sheshet e Prishtinës

Turistja thotë se në Kosovë nuk duhet bërë shumë sakrificë për të kaluar mirë dhe një gjë e thjeshtë që ajo e rekomandon është shëtitja në sheshet e Prishtinës bashkë me vendasit.

Është fantastike të shëtisësh nëpër shesh ose të ulesh në një kafene pranë shëtitores dhe të shohësh të tjerët derisa shëtitën, shton ajo.

Blogerja thotë se vendasit në Kosovë janë shumë miqësorë dhe u pëlqen shumë të bisedojnë me të huajt.

“Mos u habisni nëse njerëzit ju pyesin “pse jeni këtu?”, kur vizitoni Kosovën. Ata nuk e kanë fjalën për këtë në mënyrë agresive ose paralajmëruese, ata janë vërtet kuriozë pse keni zgjedhur të udhëtoni në Kosovë!”, këshillon të huajt Allison.

Vizita në Prizren

Blogerja thotë se Prizreni është padyshim një nga vendet më piktoreske për t’u vizituar në Kosovë, me arkitekturën e saj të mrekullueshme të ndikuar nga osmanët.

Për pamjen më të mirë, duhet të ngjitesh në kalanë e Prizrenit, e cila është pa pagesë për t’u vizituar.

Vizita te kishat e vjetra ortodokse

Kishat ortodokse në Kosovë janë të bukura dhe historike, thotë ajo.

“Forcat e NATO-s dhe policia lokale ruajnë shumë nga kishat ortodokse. Në Patriarkanën e Pejës duhet të regjistrosh pasaportën për të qenë në gjendje të hysh brenda. Mund të duket ekstreme, por ia vlen të shohësh bukurinë e pabesueshme të manastirit”, shton blogerja.

Qebapët

Sipas blogeres një nga gjërat e saja më të preferuara në Kosovë janë qebapët në skarë.

Ajo thotë se ata janë shumë të shijshëm dhe madje nuk kushtojnë shtrenjtë.

Grykat

Gryka e Rugovës dhe burimi i Drinit të Bardhë në Pejë duhet të vizitohen patjetër.

Vizita e fshatrave poashtu sipas blogeres është diçka që ja vlen ta bëni në Kosovë.

Malet

Terreni i Kosovës është malor dhe i këndshëm dhe ka mijëra kilometra për të ecur dhe shijuar.

Por sipas saj i vetmi defekt në këtë rast është mungesa e transportit të rregullt.

Pylli i arinjve

Në Ballkan, arinjtë mbahen në kafaze si zbavitje për vizitorët e restoranteve, por për fat të mirë kjo praktikë në Kosovë është e paligjshme dhe arinjtë gazojnë një hapësirë shumë të madhe në natyrën e egër dhe për më tepër ushqehen mjaft mirë, thotë blogerja.

Nëse jeni një adhurues i kafshëve, kjo është një rekomandim i fuqishëm që duhet parë në Kosovë. /Telegrafi/