Escobar zbardh kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë: Kurti është partneri ynë

I dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë të dhënë së fundmi ka folur për zhvillimet e fundit në rajon, duke përfshirë këtu raportin dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, është e nevojshme që pa vonesë të fillohet procesi i zbatimit të Unionit të Komunave Serbe.

Ai u shpreh se për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme.

“Karakteristika përcaktuese e Ballkanit Perëndimor për momentin është rritja e fortë ekonomike dhe potenciali i fortë ekonomik. Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka universitete të shkëlqyera, një fuqi punëtore të talentuar dhe një fuqi punëtore relativisht të re. Kështu që ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë dhe shpresojmë se investimi në të ardhmen e rajonit do të ndihmojë për të kapërcyer disa nga problemet politike”, tha ai për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore.

Duke folur për situatën në komunat veriore të Kosovës, ai foli për “shumë kriza politike”. Shtoi se ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin.

Megjithatë, diplomati amerikan theksoi se duhet të gjendet një mënyrë për të depërshkallëzuar proceset e tilla.

“Po, çfarë kishim në Ohër: arritëm një marrëveshje. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që hapi derën për një marrëdhënie paqësore, konstruktive dhe të parashikueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sipas rregullave evropiane. Kur u larguam nga Ohri, u larguam optimistë. Në dy muajt që kur arritëm atë marrëveshje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thoja se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin. Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”, tha ai.

Sipas tij, për Serbinë kjo do të thotë t’i jepet fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës.

E për Kosovën, Escobar u shpreh kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. “Duhet të punojmë menjëherë për të dyja gjërat”.

Ai po ashtu, foli edhe për kryeministrin e  Kosovës, Albin Kurti. Theksoi se Kurti është partner i ShBA-së dhe ndonjëherë edhe i vështirë.

“Më duhet ta bëj të qartë këtë – zoti Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner. Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë. Pra, në të ardhmen duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një mënyrë, për të gjetur një mënyrë reciprokisht të pranueshme dhe reciprokisht të dobishme në mënyrë që të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, së bashku”.

“Dhe jo vetëm kaq, por që të dyja të ndihmojnë në hapjen e derës së integrimit për pjesën tjetër të rajonit. Pra, ne duam të përdorim marrëdhënien tonë të mirë për të ndihmuar në ndërmjetësimin në të ardhmen”.

“Më ftuan të bëja një informim në Shtëpinë e Bardhë për rezultatet e udhëtimit në Beograd dhe Prishtinë. Bazuar në progresin, ose mungesën e tij, ne do të duhet të vendosim kursin tonë të veprimit”, theksoi Escobar.