Osmani: Heqja e barrikadave në Veri çështje orësh, rreziku i ditëve të fundit ishte më i madhi që nga 2008-ta

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se heqja e barrikadave në Veri ka mbetur vetëm çështje orësh.

Osmani ka deklaruar se nuk mund të pritet më shumë, prandaj nëse nuk hiqen, Kosova do të veprojë, duke u  kordinuar së bashku me aleatët ndërkombëtarë.

“Është çështje orësh dhe nëse nuk largohen përfundimisht natyrisht se duhet të ketë veprim të menjëhershëm por të dakorduar të institucioneve tona së bashku me institucionet ndërkombëtare të sigurisë. Dakordimi tashmë është bërë, është çështje orësh nuk mund të pritet më shumë. Në qoftë se nuk hiqen, institucionet e Kosovës do të veprojë. Sa më shumë që po mbesin, aq më shumë po rrezikohet jeta e qytetarëve. Besoj që edhe do të jetë. Në 24 orët e ardhshme do të insistoj që secili veprim, të bëhet në koordinim me aleatët tanë.”, tha Osmani.

Osmani, po ashtu ka thënë se s’ka fare shpresa që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të rreshtohet në krah të Perëndimit, por sipas saj, ai po bashkëpunon me njësi paramilitare terroriste, siç është grupi rus, Wagner.

Osmani tha se Vuçiqi me politikat e tij po do ta destabilizojë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën, teksa shtoi se rreziku ditëve të fundit ka qenë më i madhi që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

“Tani unë nuk do të hyja më në detaje sa i përket informatave që janë të klasifikuara. Megjithatë, rreziku ditëve të fundit ka qenë shumë më i madh se çdo periudhë tjetër që e kemi parë”.

“Të pas-pavarësisë patjetër që po, ka qenë rrezik nga aspekti i sigurisë. Rreziku që sot Serbia e synon destabilizimin është i madh, prandaj veprimet tona duhet të jenë mirë të koordinuara edhe brenda Kosovës por edhe me aleatët tanë”, është shprehur Osmani në Rubikon.