Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, Haxhiu: I di emrat e personave por nuk mund t’i përmend

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më herët deklaroi se mostrat e rastit të Astrit Deharit janë zhdukur nga laboratori i Toksikologjisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Ministrja ndër tjerash tha se në vendin ku ruhen mostrat kanë qasje vetëm 3 persona.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Instututit Zvicëran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, ka deklaruar ndër tjerash Haxhiu.

Rreth kësaj, nga ministrja u theksua se ajo i di emrat e personave që kanë qasje në këtë institucion në departamentin e laboratorit të toksikologjisë porse, nuk mund t’i thotë sepse të njëjtit tani i di policia dhe prokuroria.

“Në fakt, kur ka pasur njoftime për raste të tilla ne i kemi dërguar në prokurori dhe polici dhe po ka pasur edhe shkarkime, një nga zyrtarët e IML-së është shkarkuar së fundmi për shkak të veprimeve të kundërligjshme. Por është diçka tjetër që kjo çështje s’ka pasur vëmendjen e opinionit publik. Ne në momentin që jemi njoftuar për këtë, kemi njoftuar institucionet përgjegjëse. Më duhet të theksoj se i di emrat e personave që kanë qasje në këtë institucion në departamentin e laboratorit të toksikologjisë por nuk mund t’i them ata sepse tani të njëjtit i di edhe policia edhe prokuroria. Neve na takon të ndërmarrim masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës, pra Komisioni Disiplinor i IML-së ka marrë kërkesë për adresim të veprimeve, unë besoj se sot do të përfundojë puna me suspendimin”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu shtoi edhe se personat kanë dalë në vendin e punës sot dhe sot kanë pasur komunikimin me prokurorinë.